Sipas “L’Équipe”, Laurent Blanc është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Lyonit, skuadër të cilën e drejtonte prej gati një viti, për shkak të rezultateve të dobëta.
Jean-François Vulliez, ndihmësi i Blanc, do të marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës.
Blanc, 57 vjeç, ishte në shënjestër që nga humbja 1-4 në shtëpi më 3 shtator kundër PSG-së.
Trajneri, me kontratë deri në qershor 2024, kishte pasur fërkime edhe me pronarin e ri të OL, investitorin amerikan, John Textor (zëvendësoi legjendarin Jean-Michel Aulas), për shkak të mungesës së përforcimeve të skuadrës.
“L’Équipe” raportoi se Vulliez, bashkëpunëtor i Blanc dhe ish-drejtor i ekipit të të rinjve, do të ketë si asistent ish-lojtarin brazilian, Sonny Anderson (këshilltar aktual i presidencës) dhe Jérémie Bréchet, trajner i U-19.
Përflitet se italiani Gennaro Gattuso (ish i Valencias) mund të jetë zgjidhja përfundimtare për Lyonin, të paktën deri në fund të këtij sezoni.
Top Channel