Shqipëria U19 ka zhvilluar sot miqësoren e dytë të programuar me Azerbajxhanin U19, sfidë që përfundoi me rezultatin e barabartë 0-0.
Trajneri Ervin Bulku bëri disa ndryshime krahasuar me ndeshjen e dy ditëve më parë, duke u dhënë hapësira fillimisht një pjesë të lojtarëve, të cilët nuk ishin titullarë në testin e parë.
Ndeshjen e luajtur në fushën e Shtëpisë së Futbollit, kombëtarja U19 e nisi me këtë formacion: Klevi Totoshi, Klevis Haxhari, Arlind Kurti, Ermal Meta, Lindon Ajeti, Elton Fikaj, Ledjo Tresa, Jordi Jaku, Oresti Kasmollari, Dean Vranici, Erald Krasniqi.
Kuqezinjtë prodhuan volum loje dhe kishin epërsi në zotërimin e topit, duke qenë të rrezikshëm në disa raste. Me sulmuesit Ledjo Tresa dhe Erald Krasniqi. Gjithsesi, edhe Azerbajxhani arriti të krijonte raste, por pa arritur të gjente rrugën e rrjetës. Me të dyja skuadrat që u kujdesen shumë për aspektin mbrojtës.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, ndërsa me nisjen e pjesë së dytë nisën edhe zëvendësimet e para. Dy trajnerët rifreskuan forcat në fushë. Kuqezinjtë ishin sërish të rrezikshëm me Krasniqin në disa raste, por goli mungoi.
Rastet më të pastra i kishte Azerbajxhani në fraksionin e dytë të lojës, që goditi dy herë shtyllën. Në shtesë ishte Jaku që kishte një rast të mirë për të vulosur ndeshjen me gjuajtjen e tij që përfundoi jashtë.
Përfundoi kështu 0-0 miqësorja e dytë e kuqezinjve të vegjël, ndërkohë që ndeshja e parë e luajtur dy ditë më parë në “Elbasan Arena” u fitua 2-0. Falë dygolëshit të Flavio Sulejmanit.
Dy teste të vlefshme për trajnerin Bulku, i cili pati mundësinë të shikonte nga afër gjendjen e ekipit në prag të përgatitjeve për kualifikueset e Europianit të kësaj grup-moshe në nëntor.
Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Kombëtaren U19 në Grupin 13. Së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023.
Top Channel