Kinë, ndalim për veshjet “e dëmshme për ndjenjat kombëtare”

11/09/2023 09:22

Një projektligj për ndalimin e veshjeve “të dëmshme për shpirtin e popullit kinez” ka ndezur debat në Kinë.

Nëse ky ligj hyn në fuqi, personat e shpallur fajtorë mund të gjobiten ose burgosen, por projektligji ende nuk përcakton se çfarë përbën shkelje.

Përdoruesit e mediave sociale dhe ekspertët ligjorë kanë bërë thirrje për më shumë qartësi për të shmangur zbatimin e tepruar të një ligji të tillë.

Kina publikoi së fundmi një sërë propozimesh për ndryshime në ligjet për sigurinë publike – reformat e para këtë prej disa dekadash.

Ligji për veshjet shkaktoi reagime të menjëhershme nga publiku. Shumë vetë e kritikojnë atë, kryesisht në komente online, si të tepruar dhe absurd.

Sipas projektligjit njerëzit që veshin ose detyrojnë të tjerët të veshin veshje dhe simbole që “minojnë shpirtin ose lëndojnë ndjenjat e kombit kinez” mund të burgosen deri në 15 ditë dhe të gjobiten me deri në 5,000 juanë (680 dollarë).

Me të njëjtat ndëshkime mund të përballen gjithashtu ata që krijojnë ose shpërndajnë artikuj ose fjalime lidhur me veshje të tilla.

Kufizim i lirisë së shprehjes

Ndryshimet ligjore të propozuara ndalojnë gjithashtu “fyerjen, shpifjen ose cënimin e emrave të heronjve dhe të martirëve vendas” si dhe vandalizmin e statujave të tyre përkujtimore.

Mjaft vetë shprehën në komentet e tyre në internet dyshime se si zbatuesit e ligjit mund të përcaktonjnë në mënyrë të njëanshme se kur “ndjenjat” e kombit “lëndohen”.

“A do të konsiderohet si lëndim veshja e një kostumi dhe kravate? Marksizmi e ka origjinën në Perëndim. A do të konsiderohet prania e tij në Kinë si dëmtim i ndjenjave kombëtare,” shkroi në një postim një përdorues i platformës kineze Weibo, e ngjashme me Twitter.

Kritika nga ekspertët ligjorë

Edhe ekspertë ligjorë kinez e kanë kritikuar formulimin e paqartë të ligjit, duke thënë se ai lë mundësi për abuzim.

Zhao Hong, profesore e drejtësisë në Universitetin Kinez të Shkencave Politike dhe të Drejtësisë tha se mungesa e qartësisë mund të çojë në shkelje të të drejtave personale.

“Po sikur zbatuesi i ligjit, zakonisht një oficer policie, ta interpretojë në mënyrë personale atë që e lëndon dhe të inicojë një gjykim moral të të tjerëve përtej fushëveprimit të ligjit,” shkroi ajo në një artikull të botuar të mërkurën.

Ajo përmendi një rast që bëri mjaft bujë vitin e kaluar në Kinë, ku një grua e veshur me kimono u arrestua në qytetin e Suzhou dhe u akuzua për “provokim grindjesh dhe telashesh” sepse ishte veshur me një veshje japoneze. Incidenti shkaktoi zemërim në mediat sociale kineze.

Por në Kinë ka pasur edhe shembuj të tjerë arrestimesh për shkak të veshjeve. Në mars të këtij viti, policia arrestoi një grua që kishte veshur  në një treg nate një kopje të një uniforme ushtarake japoneze.

Dhe në fillim të muajit të kaluar, disa vetë që ishin veshur me bluza me ngjyrat e ylberit iu ndalua hyrja në një koncert të këngëtarit tajvanez Chang Hui-mei në Pekin.

“Të veshësh një kimono do të thotë të lëndosh ndjenjat e kombit kinez, të hash ushqim japonez do të thotë të rrezikosh shpirtin e tij? Kur u bënë kaq të brishtë ndjenjat dhe shpirti i kombit kinez që janë të sprovuara prej kohësh?” shkroi një komentues i njohur social në internet, i cili përdor emrin Wang Wusi.

Qytari shembullor i presidentit Xi Jinping

Projektligji është vetëm një nga shembujt se si presidenti kinez Xi Jinping, i cili erdhi në pushtet në vitin 2012, po përpiqet të ripërcaktojë atë që e bën një qytetar kinez, qytetar model.

Në vitin 2019 Partia Komuniste Kineze nxori “udhëzime morale” të cilat përfshijnë direktiva të tilla si të qenit i sjellshëm, si të udhëtosh duke lënë një gjurmë më të ulët karboni dhe si të kesh “besim” te presidenti Xi dhe partia. /DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA