Kosova është gati për takimin me Rumaninë. Në rast të një fitoreje, dardanët do të riktheheshin në garë për kualifikimin në Euro 2024.
Barazimi 2-2 ndaj Zvicrës, që erdhi edhe falë një loje pozitive, ka rritur entuziazmin në kampin e skuadrës së Primoz Gliha.
Tekniku slloven foli në konferencën për shtypin përpara transfertës rumune, ku ndër të tjera u shpreh:
“Ndihemi mirë dhe mendoj se jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje. Është një ndeshje e rëndësishme, por gjithçka do të varet nga paraqitja jonë. Jam i sigurt se do të jetë një ndeshje shumë e fortë.
Pasi ne kemi nevojë për pikë, e po ashtu edhe Rumania ka nevojë për pikë. Personalisht pres rezultat pozitiv dhe do të japim gjithçka nga vetja për të arritur këtë.
Rumania? Kemi përballë një kundërshtar të fortë, i cili në radhët e veta ka shumë lojtarë të mirë. Por, edhe ne kemi gjithashtu lojtarë të mirë, të cilët luajnë për klube të mëdha.
Për ne është e rëndësishme të luftojmë dhe të jemi të disiplinuar, pasi vetëm kështu mund të marrim rezultat të favorshëm.
Jam i bindur se Rumania do të luajë mirë, por ne kemi ardhur këtu për diçka të mirë. Përfundimisht, Rumania është favorite për vendin e dytë në grup, por do ta shohim pas ndeshjes kundër nesh”, deklaroi Gliha.
Rumani-Kosovë do të zhvillohet të martën në mbrëmje (20:45) dhe do të transmetohet live në SuperSport 3
Top Channel