“Fortesa” e kuqezinjve, shifrat dhe statistikat e Shqipërisë në Arenën Kombëtare

11/09/2023 21:19

Arena Kombëtare ishte dëshmitare e fitores më të madhe që kombëtarja kuqezi e futbollit ka shënuar në impiantin më modern të kryeqytetit.

Një triumf 2-0 ndaj Polonisë së Lewandowskit, që zgjoi pasionin dhe entuziazmin e një kombi të tërë. Dhe që na vendos në një pozicion më të afërt se kurrë me kualifikimin e dytë historik në Europian.

Përtej fitores, festës dhe gëzimit që përshkroi të gjithë shqiptarët në mbrëmjen e 10 shtatorit, është koha për të rishikuar statistikat dhe rezultatet e Kombëtares në ndeshjet e zhvilluara në arenë. Kuqezinjtë kanë luajtur 15 ndeshje që kur impianti i parametrave dhe standardeve europiane u inaugurua për sfidën e 17 nëntorit të 2019 ndaj Francës. Dhe nga ai moment kemi marrë 6 fitore, 6 humbje dhe 3 barazime.

Një ndikim të madh në këto shifra, sa i takon fitoreve dhe humbjeve, kanë pasur dhe ndeshjet e vitit të kaluar. Ku Shqipëria luajti plot gjashtë herë në Arenën Kombëtare dhe mori vetëm një fitore: ndaj Armenisë në një ndeshje miqësore. Stadiumi ku zhvillohen ndeshjet si pritës, shndërrohet në lojtarin e 12-të dhe në mbështetësin kryesor.

Ku mjafton një shkëndijë nga tribunat për të ndezur entuziazmin, “zjarrin” dhe dëshirën brenda lojtarëve. Dhe tri ndeshjet e fundit të luajtura në Arenën Kombëtare, janë një sugjerues i madh që kuqezinjtë mund dhe duhet të bazohen mbi këto rezultate shpresëdhënëse, në mënyrë që stadiumin ta kthejnë në një armë plus.

Në repertorin e madh të organikës së lojtarëve që kemi, me cilësi të padiskutueshme duke nisur nga porta në sulm. Triumfi 2-0 ndaj Armenisë më 19 nëntor të vitit të kaluar, ai kundër Moldavisë, po 2-0, në qershorin e këtij viti. Dhe së fundmi suksesi i fantastik 2-0 me Poloninë, që meriton të quhet padyshim më i madhi që kemi arritur në Arenën Kombëtare.

Tri ndeshjet e fundit në kryeqytet, nuk mund të shkonin më mirë për Shqipërisë. Që duket se ka zbuluar elementin që i mungonte. Një arenë që sidomos në fitoren e jashtëzakonshme ndaj Polonisë u kthye në një shtëpi, ku lojtarët dhe 22.000 tifozët u bënë një trup dhe shpirt i vetëm.

Emocionet dhe lumturia e përbashkët zunë vendin e polemikave dhe pesimizmit që kanë qenë të pranishme jo në pak raste gjatë viteve të fundit. Rruga drejt Gjermanisë duket e sigurt, por në fitoren ndaj Polonisë, Shqipëria rigjeti ‘’shtëpinë’’ dhe lidhjen emocionale me tifozët, diçka që ishte zbehur prej vitesh.

Ndeshjet e luajtura në Arenën Kombëtare

Shqipëri-Francë 0-2/ 17 nëntor 2019

Shqipëri-Lituani 0-1/ 7 shtator 2020
Shqipëri-Kazakistan 3-1/ 15 nëntor 2020
Shqipëri-Bjellorusi 3-2/ 18 nëntor 2020

Shqipëri-Angli 0-2/ 28 mars 2021
Shqipëri-Poloni 0-1/ 12 tetor 2021
Shqipëri-Andorra 1-0/ 15 nëntor 2021

Shqipëri- Gjeorgji 0-0/ 29 mars 2022
Shqipëri-Izrael 1-2/ 10 qershor 2022
Shqipëri-Estoni 0-0/ 13 qershor 2022
Shqipëri-Islandë 1-1/ 27 shtator 2022
Shqipëri-Itali 1-3/ 16 nëntor 2022
Shqipëri-Armeni 2-0/ 19 nëntor 2022

Shqipëri-Moldavi 2-0/ 17 qershor 2023
Shqipëri-Poloni 2-0/ 10 shtator 2023

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA