Me mjete të posaçme qindra efektivë të ushtrisë greke evakuojnë banorët vendas nga komuna e  përmbytur e Palamas.

Janë qindra njerëz që kanë mbetur të bllokuar pa ushqim dhe ujë për të tretën ditë,me rrezik për jetën,  në Greqinë qendore pas stuhisë shkatërruese Daniel  që ka lënë pas të paktën 7 viktima dhe ka shkaktuar miliarda euro dëme.

Fenomeni i tejskajshëm sipas meteorologëve është më ekstremi që ka goditur vendin në 90 vitet e fundit. Qindra shtëpi janë shkatërruar apo përmbytur  nga ujërat dhe balta që kanë sjellë lumenjtë, disa ura janë shembur, rrugët janë shndërruar në liqene, linjat e energjisë elektrike janë shkatërruar, uji i pijshëm mungon në shumë zona dhe dëmet në kulturat bujqësore janë të pallogaritshme për zonën më prodhimtare bujqësore të Greqisë që përfshin prefekturat e Kardhitsës, Larisës, Trikalës dhe Volosit.

“Fatkeqësi tragjike, mjerim, dhimbje, pikëllim, tragjedi. Po vuajmë dhe do të vuajmë për një kohë shumë të gjatë. Dëmet që kemi pësuar të gjithë në shtëpitë tona janë të pariparueshme. Vlera e një jete pune  humbi brenda dy orëve , u shkatërrua plotësisht”.-shprehet Charalampos Tsergas, banor i Palamas.

Pas daljes nga shtrati të lumit Pinio në orët e para të mëngjesit në shumë lagje të Larisës uji u rrit me shpejtësi duke  mbuluar shtëpi, e biznese dhe duke detyruar banorët të largoheshin .

Brigadat zjarrfikëse , repartet e shpëtimit dhe ushtria po punojnë me të gjitha kapacitetet për të evakuuar banorët që nuk kanë mundur të largohen dhe presin ndihmë në tarracat apo ballkonet e kateve të sipërme të shtëpive të tyre.

Askush nuk e priste mbrëmë se do të vinte puna deri në këtë pikë. Për fat të keq shtëpitë u mbushën me ujë . Fushat me të mbjella dhe pronat e njerëzve u shkatërruan. Është një vit shumë i vështirë dhe nuk e di se si mund të ndryshojë kjo”.-shprehet banori Vassilis Katsanos.

Prej orëve të mëngjesit të së premtes disa helikopterë super puma sjellin nga zonat e përmbytura, të moshuar apo fëmijë, në gjendje shoku pasi ndodheshin për orë të tëra mes ujit,  në një prej fushave të futbollit në qytetin e Kardhitsës. Vetëm në prefekturën e Magnezisë u shpëtuan 210 banorë gjatë orëve të natës.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis që ka vizituar qytetin e Kardhitsës sot ka deklaruar se e kupton  zemërimin edhe indinjimin e banorëve , por ai dhe qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të  mobilizuar të gjitha burimet evropiane për të mbështetur financiarisht banorët që pësuan dëme kolosale nga kjo katastrofë natyrore.

Sipas shërbimit meteorologjik të vendit sipërfaqet e përmbytura të fotografuara me satelit ditën e djeshme  janë mbi 72000 hektarë, por sot në ditën e katërt të fenomenit ujërat e dy lumenjve të zonës vazhdojnë të dalin nga shtrati dhe të përmbytin tokat bujqësore dhe fshatrat

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA