Reforma në sektorin energjetik! Qeveria miraton propozimin e Financave për kredi nga Agjencia Franceze për Zhvillim

07/09/2023 19:05

Qeveria, përmes një VKM-je, ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisё për marrjen e një kredie nga Agjencia Franceze për Zhvillim, me qëllim mbështetjen e fazës së dytë të reformës në sektorin energjetik në Shqipëri.

Vendimi i Këshillit të Ministrave vjen pas nënshkrimit të një marrëveshje gjatë krizës energjetike në nëntor të 2021-shit nga ministrja asokohe e Financave, Delina Ibrahimaj, me Agjencinë Franceze për Zhvillim për 50 mln euro kredi e butë. Të ardhurat ishin paracaktuar të shkonin në shërbim të ndarjes së operatorëve të OSHEE-s, funksionimit të bursës së energjisë dhe krijimit të një tregu konkurrues.

Nëpërmjet kredisë së butë prej 50 milionë euro që u firmos sot mbështetet sektori i energjisë, që ndodhet në një krizë të jashtëzakonshme të shpallur në fillim të tetorit 2021. Kjo kredi synon të përmirësojë dhe konsolidojë strukturën e OSHEE-së, pra ndarjen e tre operatorëve të OSHEE-s, synon të nxisë funksionimin e bursës së energjisë, si dhe krijimin e një tregu konkurrues për energjinë. Është në vijim të një tjetër marrëveshje kredie po në sektorin e energjisë të financuar nga qeveria gjermane bazuar në marrëveshjen që qeveria shqiptare, gjermane dhe ajo franceze kanë për nxitjen dhe mbështetjen e sektorit të energjisë”- do të shprehej Ibrahimaj.

Me miratimin nga qeveria, projektligji dërgohet për votim në parlament.

Më poshtë VKM e miratuar:

VENDIM

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (HUAMARRËSI) DHE AGJENCISË FRANCEZE PËR ZHVILLIM (HUADHËNËSI), PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “POLITIKA PËR MBËSHTETJEN E REFORMËS NË SEKTORIN ENERGJETIK NË SHQIPËRI – FAZA II””

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, e të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisё, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri – faza II””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA