Shqipëria vazhdon të pasurohet me element të rinj të talentuar, të lindur apo stërvitur në klube të rëndësishme europiane.
Mes tyre për këtë grumbullim janë Mirlind Dakun dhe Arbnor Mujën që aktivizohen përkatësisht me Rubin Kazan në Rusi dhe Antëerp në Belgjikë.
“Gjërat kanë shkuar shumë mirë këto ditë të para në kombëtare, kemi patur pak probleme për të na dhënë dritën jeshile për të luajtur, por shyqyr Zotit gjërat përfunduan dhe ditët e para po shkojnë shumë mirë. Ndjenjë shumë e mirë për mua pasi këtu ne përfaqësojmë të gjitha trevat shqiptare. Vetëm nga Gjilani nuk ka pasur në kombëtaren shqiptare dhe tani jam unë”, shprehet futbollisti i kombëtares Mirlind Daku.
Edhe për lojtarin e kampiones së Belgjikës, Arbnor Muja gjërat kanë shkuar po kaq mirë, dhe padyshim përfaqësimi i ngjyrave kuqezi mbetet krenari për çdo shqiptar të Kosovës.
“Një ndjenjë fenomenale për të ardhur këtu me djemtë dhe për të njohur stafin. Më së pari thirra familjen, një krenari e madhe për ta edhe për mua. Nëna ime ishte më e lumtura kur e mori vesh që isha pjesë e kombëtares. Gjithashtu edhe nga Mitrovica, do ta bëjmë Shqipërinë e madhe”, ka thënë Arbnor Muja.
Kuqezinjtë sot kanë mbërritur në Pragë, ku mbrëmjen e nesërme do të zhvillojnë ndeshjen e tyre përball Çekisë, një përballje shumë e rëndësishme me kreun e grupit aktualisht me të cilët na ndan vetëm një pikë.
Top Channel