Pasditen e së hënës lojtarët e kombëtares shqiptare zbritën të plotë nën drejtimin e trajnerit Sylvinho në Shtëpinë e Futbollit për përgatitjen e ndeshjes kaq të rëndësishme me Republikës Çeke, që do të luaj në Pragë më datë 7 shtator dhe më pas ndaj Polonisë në Tiranë më 10 shtator.
Pasditen e së hënës ju bashkuan grupit të lojtarëve edhe 4 lojtarët e fundit të cilët kishin luajtur me klubet e tyre mbrëmjen e së dielës, si Arbnor Muja, Etrit Berisha, Ylber Ramadani apo edhe Ivan Balliu.
Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe stafit teknik, lojtarët kanë zhvilluar një seancë stërvitore me një program të kombinuar për shkak se disa prej lojtarëve kanë luajtur ndeshje me klubet gjatë të dielës dhe kishin nevojë për sa më pak ngarkesa.
Më konkretisht, Ylber Ramadani, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Arbnor Muja, Ernest Muçi, Elseid Hysaj dhe Elhan Kastrati kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar mes palestrës dhe ushtrimeve fizike në fushë pa top.
Ndërkaq, pjesa tjetër e lojtarëve përveç ushtrimeve fizike, është angazhuar në një ndeshje kontrolli së bashku me lojtarët e Kombëtares U-19, që është e grumbulluar në Tiranë për tu përgatitur për dy miqësoret ndaj Azerbajxhanit.
Vetëm mesfushori Qazim Laçi është lënë pushim sot për shkak të gjendjes gripale, me lojtarin që po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Kombëtarja do të vijojë përgatitjet edhe të martën me një tjetër seancë stërvitore dhe mëngjesin e të mërkurës do të udhëtojë drejt Pragës për duelin e parë zyrtar të shtatorit.
Shqipëria do të përballet me Republikën Çeke më 7 shtator, ora 20:45, me ndeshjen që luhet në stadiumin “Fortuna Arena” dhe është nga më të rëndësishmet e kësaj fushate kualifikuese.
Top Channel