Me një koment të gjatë dhe ambicien për “Shqipërinë 2030, kampione e turizmit në rajon”, e nisi kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama fjalën e tij në asamblenë e Partisë Socialiste.
Kryeministri tha se pas një sezoni të suksesshëm, Shqipëria do të presë akoma më shumë turistë në vitet në vijim. Për pasojë, është e nevojshme “të korrigjohen gabimet e së tashmes”.
“Për të ecur përpara, por me këmbë në tokë. Me zemër dhe mendje në vend. Ky realitet është ku e ku më mirë se i të djeshmes dhe ku e ku më problematik sa ai i të ardhmes. Të ngulim në kokë se korrigjimi i së tashmes është arsyeja e ekzistencës tonë politike. Korrigjimi i të tashmes së Maldiveve të Europës, sikurse na pagëzuan, kërkon që askush të mos mbyllë sytë para problemeve serioze. Si infrastruktura e Ksamilit për shembull, që u bë simbol i Shqipërisë këtë vit.
Korrigjimi i së tashmes që askush të mos mbyllë hundët para gropave skeptike të hoteleve. Të mos mbyllë sytë para kërkesës për shërbime cilësore. Që askush të mos e lërë punën e sotme për nesër. Të punojmë për legjislacionin mbi investimet, për një reformë të arsimit profesional. Për nxitjen e angazhimit të krahut të kualifikuar të punëve për emigrantëve. Për rritjen e shërbimeve në çdo lokalitet.
Duhen nxjerrë shpejt dhe mirë mësimet e këtij sezoni fantastik, që në vitet në vijim ky vend të mos bëhet viktima e suksesit të këtij viti. Që vitin tjetër, duhet të përballemi me një kërkesë më të lartë në turizëm. Sapo kemi futur këmbët në superligë, kur të tjerët në rajon kanë kohë”.
Shqipërisë sot i ka ardhur çerja në vend në sytë e botës, tha Rama. Por, synimi, sipas tij, është që Shqipëria të mos jetë vetëm vend i turizmit masiv, për pushime “low cost”, por të bëhet vend i turizmit elitar.
“Pas pak ditësh, bota do të mblidhet në New York, ku për herë të parë në historinë e vet, Shqipëria ka presidencën e KS. Detyra jona është jo vetëm ta ngremë me tej imazhin.
Nuk mund të jemi vend ekskluziv i turizmit masiv. Mund të sjellë pasoja, nëse nuk diversifikojmë ofertën. Këtë vit, turizmi masiv i ka sjellë vendit shumë të ardhura. Ky lloj turizmi i ulët deri në mesatar, mund të ketë pasoja. Të ecim në krijimin e burimit tjetër, që i sjell vendeve shumë të ardhura. Është turizmi i konsumit të lartë, me një impakt shumë herë më të vogël në mjedis. Krijimi i porteve, infrastruktura e re portuale sot janë më të qarta se kurrë. Duhet ndërtuar resorte me pesë yje, jo vetëm në bregdet, por duhet të zhvillojmë edhe turizmin malor.
Në këtë dekadë, vendoset lartësia e Shqipërisë në 30-40 vitet në vijim. Duhet të forcojmë në radhë të parë vetëdijen qeverisëse. Duhet të jemi vendi i ekselencës në mikpritjen e investitorëve. Shqipëria 2030, kampione e rajonit në turizëm. Shqipëria të mos tërheqë vetëm turistin italian që ikën nga Puglia se këtu është lirë, por dhe një turist që shpenzon njësoj si në Maldive”.
Top Channel