Ka nisur nga sot më i plotë grumbullimi i kombëtares kuqezi në prag të dy ndeshjeve vendimtare për objektivin që ka përfaqësuesja shqiptare në këto eliminatore, që janë finalet e Europianit “Gjermani 2024”.
Pjesa më e madhe e lojtarëve kanë luajtur në këtë fundjavë me klubet e tyre respektive dhe kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme vonë ose paraditen e së hënës në grumbullim, duke plotësuar grupin e lojtarëve që trajneri brazilian Sylvinho ka grumbulluar për këto dy dy ndeshje me Çekinë dhe Poloninë.
Në konferencën e parë për shtyp për këto dy ndeshje ishin lojtarët, Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Nedim Bajrami. Kavajasi është rikthyer në këtë fillimsezoni në Turqi ku ka shënuar 3 gola në 4 ndeshjet e fundit.
“Mendoj se ky grumbullim është nga më të rëndësishmet në këto vite. Janë dy ndeshje që duhet të angazhohemi maksimalisht. Është një kënaqësi pasi e kam përjetuar një herë Europianin e nëse do luaja sërish do ishte karriera me Kombëtaren në një nivel tjetër. Ne lojtarët që kemi shkuar një herë në Europian në 2016-n duhet të mundohemi të bëjmë diçka më shumë edhe jashtë fushe, për t’i ndihmuar dhe lojtarët e tjerë”, tha Cikalleshi.
Çekia është një nga rivalet direkte të kuqezinjëve në këtë grup së bashku me Poloninë për dy vendet e para që shkojnë në fazën tjetër të Europianit, për këtë arsye ndeshja me ta ka një rëndësi thelbësore në vazhdimësinë e objektivit kuqezi. Nedim Bajrami, mesfushori kuqezi i Saussuolos tregon edhe një herë se nën drejtimin e Sylvinhos ai ka një tjetër paraqitje.
“Më ka ndihmuar shumë, mentalisht dhe jam shumë i lumtur që ka ardhur këtu. Me rëndësi është që ndaj Çekisë të marrim tre pikë. Besoj se të gjithë duhet të jemi në formë, nuk ka një lojtar apo dy që e ndryshojnë ndeshjen. Të gjithë duhet të jemi në formë, të përgatitemi sa më mirë e të luajmë me shpirt”, u shpreh Nedim Bajrami.
Shqipëria do të përballet, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me Republikën Çeke më 7 shtator në Pragë dhe me Poloninë më 10 shtator në “Air Albania”.
Top Channel