Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, priti sot Presidenten e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e cila po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në takim ishin të pranishëm edhe z. Bledi Çuçi, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS, z. Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD, z. Fatmir Mediu, Kryetar i Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi dhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, z.Skënder Durmishi.

Kryetarja Nikolla nënvizoi se Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë dhe bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është strategjik, me rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të rajonit. Intensifikimi i bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës po kontribuon në përshpejtimin e integrimit të të dy vendeve në BE, të Kosovës në NATO dhe përfaqësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.

Shqipëria do të vijojë të mbështesë e lobojë për pranimin e Kosovës në KiE dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Dialogu i mbështetur nga ShBA dhe BE është rruga e vetme drejt paqes. Shqipëria mirëpret vendimin për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Në partneritet me aleatët tanë strategjikë ShBA dhe BE, Kosova fitoi luftën dhe me këtë partneritet do të fitojë edhe paqen.

Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, falenderoi Kryetaren Nikolla për pritjen e ngrohtë dhe e përgëzoi për bashkëpunimin shumë të ngushtë e produktiv me Kuvendin e Kosovës.

Bashkëpunimi mes institucioneve të të dy vendeve duhet të rritet sidomos në fushën e politikës së jashtme, për të cilën duhet të përcaktojmë objektiva konkrete. Kosovës i duhet mbështetja e Shqipërisë dhe koordinimi i dy vendeve na bën një zë më të fuqishëm në rajon dhe më të besueshëm të partnerët e miqtë tanë. Kosova ka qenë dhe do të jetë për vazhdimin e dialogut, mbështetur në rekomandimet e partnerëve tanë strategjikë, ShBA dhe BE, mbështetja e të cilëve lehteson dhe afron realizimin e objektivave tona kombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA