Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen Vjosa Osmani, ka komentuar situatën në veri të Kosovës.
Duke vlerësuar hapat e ndërmarrë nga Kosova për çtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe, Begaj theksoi se askush nuk mund të diskutojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në veri të Kosovës si dhe veprimeve nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet ndërveprim më i ngushtë me partnerët tanë, SHBA dhe BE. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën për të zbatuar Kushtetutën.
Vlerësova hapat e ndërmarra për deeskalimin e situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA është rruga e vetme drejt paqes”.
Begaj shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe angazhimin për të kontribuar në dialogun Kosovë-Serbi. Është i nevojshëm një bashkëpunim mes dy vendeve, tha kreu i shtetit.
Ndërsa presidentja Osmani tha se stabiliteti i plotë në rajon do të ndodhë kur Serbia të njohë sovranitetit dhe integritetin territorial në Kosovës.
“Koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht. Dialogu vijon, stabiliteti i plotë është atëherë kur të njihet sovraniteti i Republikës të Kosovës”.
Osmani tha më tej se Serbia acaron gjithnjë situatën në rajon.
“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, Vuçiçi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”.
Top Channel