Shpërndarja e librave falas ka nisur nga 1 shtatori, ku veç klasave të para, do të përfitojnë edhe nxënësit e klasave të dyta dhe të treta libra të rinj të papërdorur, pa i kthyer në fund të vitit mësimor.
Kjo është një ndihmesë e madhe. Se ka shpenzime të konsiderueshme fillimi i shkollës.
Janë 72 mijë nxënës që do të marrin këtë vit të ri shkollor tekste me një përdorim. Ndërsa nxënësit e klasave të tjera në shkollat 9-vjeçare do duhet të dorëzojnë librat në mbarim të shkollës, me udhëzimin e përdorimit të tyre deri në 3 vite nga një brez në tjetrin nëse janë të mirëmbajtur. Në tërësi, në të gjithë institucionet e arsimit parauniversitar janë 242 mijë nxënës përfitues të librave falas, ku përfshihen libra të përdorur dhe të rinj.
“Unë fletoret e punës i kam të reja, ndërsa librat të përdorur. Është më mirë të reja se të përdorura edhe kopjojmë, i ka faqet të plotësuara”, thotë një nxënëse e klasës së pestë.
Vështirësitë e hasura me librat e përdorur me shënime, zhgarravina, solli nevojën për të zgjeruar paketën e teksteve shkollore të reja nga klasa e parë në të tretën për shkak të moshës së tyre të vogël; por që mësuesit mendojnë se pjesë e këtij grupi duhet të jenë edhe nxënësit e klasave të katërta dhe të pesta.
“Në vitet e mëvonshme duhet të jenë dhe nxënësit e tjerë sidomos për librat që zhvillohen disa herë në javë, si matematika e gjuhë letërsia sepse ata janë të vegjël e nuk kujdesen mjaftueshëm”, thotë Gentiana Gramo, mësuese e arsimit fillor.
Ngërç tjetër për stafin mësimor është edhe grumbullimi i librave të vjetër të përdorur.
“Nxënësit duan ti mbajnë edhe gjatë verës ti përdorin edhe nuk arrijnë ti dorëzojnë në kohë’, shprehet Gramo.
Shpërndarja e librave po realizohet nëpërmjet një grafiku, për të shmangur radhët e prindërve në dyert e godinave arsimore, teksa viti i ri shkollor fillon më 11 shtator.
Top Channel