Ministri i jashtëm turk Hakan Fidan tha sot gjatë një vizite në Moskë se vendi i tij mbështet kërkesat e Rusisë për eksportet e drithit dhe fertilizuesve të saj, duke e quajtur një “bazë e përshtatshme për ringjalljen e marrëveshjes së Detit të Zi për drithin”.
“Iniciativa do të sjellë stabilitet për ushqimin”, tha më tej Fidan në konferencën me homologn rus Sergei Lavrov.
Ky i fundit shtoi se Rusia është e gatshme të dërgojë deri në 1 milionë ton grurë me çmim të reduktuar drejt Turqisë.
Vizita e Fidan duket se përgatit skenën për një samit mes presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Vladimir Putin në Sochi, që pritet në javën e parë të shtatorit.
Muajin e kaluar Rusia u tërhoq nga marrëveshja e grurit që ishte ndërmjetësuar nga Turqia dhe mbështetur nga OKB.
Tashmë si Ukraina dhe Rusia raportohet se kanë përgatitur plane për shpërndarjen e grurit jashtë kuadrit të marrëveshjes.
Moska është ankuar më herët se marrëveshja e mëparshme vendoste kufizime të tërthorta ndaj eksportit të grurit dhe fertilizuesve të saj, duke i kufizuar aksesin në sistemet globale të pagesave dhe sigurimeve.
Lavrov sot përsëriti qëndrimin se do të rikthehet te marrëveshja vetëm me plotësimin e kërkesave.
Fidan tha se Turqia kërkon që procesi të nisë me “mirëkuptim dhe përgjigje ndaj kërkesave të Rusisë”.
Top Channel