Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, ishin sot në lagjen “Rilindja” në Spitallë, ku po ndërtohen pallatet e reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.
Lagja me 996 apartamente, e financuar nga emigaret e bashkuara arabe, duket se po merr formë dita ditës. Kryebashkiakja Sako e njohu kreun e qeverisë Rama, njëherazi deputet i këtij qyteti, me ecurinë e punimeve.
“Dallojmë që pallatet kanë ecur me punën; një pjesë është në 90% gati të përfunduara punimet, janë pjesët e finiturave kryesisht ku po punohet. Nga ana tjetër kemi lotet e fundit që duken me sy që janë ende ne një kantier, përsa i takon veshjes së muraturave të tullës në fillim. Nga ana tjetër me Fondin Shqiptar të Zhvillimit këtu kemi një kontratë për infrastrukturën kryesorë të bllokut dhe në fakt këtu sot shohim gati të përfunduara punët kryesore të përsa i takon aksit. Këtu ka qenë një zonë relativisht e vështirë sepse ka pasur nevojë për shumë mbushje të territorit. Punimet janë në një fazë të avancuar përsa i takon rrjetit kryesor të infrastrukturës, rrugët janë të përfunduara, janë vendosur të gjithë elementët e ndriçimit. Do të ketë banorë nga të gjitha zonat nga qyteti i Durrësit dhe njësitë administrative. Po shohim mundësinë të shtojmë një linjë të re transporti”- tha Sako.
Nga ajo çfarë është ndërtuar deri më tani Kryeministri Rama dha këtë vlerësim se si do të jetë kjo lagje kur gjithçka të ketë përfunduar e të nisë së banuari.
“Sipërmarrja prestigjioze e ndërtuesit të Portit të Ri Turistik të Durrësit, Muhamed Alabbar, me financimin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed, po përfundon 996 apartamentet që do të strehojnë familje të prekura nga tërmeti në zonën e bashkisë së Durrësit dhe ku Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për infrastrukturën e re të kësaj lagjeje të ngritur nga hiçi i ish-kënetës. Kjo për 5 vjet do të jetë një lagje me jetë dhe një lagje më e bukura pa diskutim se është e ndërtuar e gjitha nga hiçi me hapësira, me të gjitha gjërat që do të vazhdojmë t’i ndërtojmë rreth e rrotull, kopshte, çerdhe, qendra shëndetësore e të gjitha”- tha Rama.
Në Spitallë kryeministri pa edhe punimet e disa rrugëve siç është ajo Azem Hajdari që lidhet me lagjen e re. E në fund një bashkëbisedim me banorë të zonës.
“Jemi shumë mirë në krahasim me çfarë ishte” – treguan ata, teksa Kryeministri siguroi se e ardhmja e zonës do të jetë premtuese, duke përmendur edhe një sërë projektesh të tjera të parashikuara.
“Kjo zonë do të bëhet fantastike, po ju them, do dhe ca vite, sepse ajo që deri dje ishte për ju “hajde të bëjmë një shtëpi, të kemi një strehë’’, sot është pasuri , i rritet vlera dhe këto dhe të tjerat kthehen realisht në vila. Nuk janë më shtëpi për të futur kokën. Plus do të bëjmë Akademinë e Manchester City që do të fillojmë shumë shpejt ta ndërtojmë, plus do krijohet dhe lagjja këtu se do vijnë njerëzit ta jetojnë. Dhe faktikisht me gjithë atë investim që do bëhet tek Porti, me gjithë atë histori zhvillimi atje, me gjithë atë turizëm dhe me zhvillimet që vazhdojnë qoftë nga Gjiri i Lalzit qoftë këtej poshtë, do të shihni vetë që kur të vijnë sezonet do ta shihni vetë kur të vijnë turistët në kafe”- tha Rama.
Top Channel