Rama intervistë për televizionin grek: Për Belerin po studiojmë rastin, çfarë do ndodhë kur të mbarojë afati i betimit

30/08/2023 18:42

Kryeministri Edi Rama  thekson sërish se çështja Beleri i takon institucioneve të drejtësisë dhe qeveria “nuk interferon në asnjë moment në punën e tyre.

Në një intervistë për televizionin kombëtar grek me gazetarin Aleksandër Marku, Rama shprehet se drejtësia është në një moment historik dhe për çështje të tilla “unë, partia që drejtoj dhe qeveria, i drejtohemi vetëm drejtësisë sovrane”.

“Që në momentin kur SPAK, Prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë, për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit.

Sot ish-zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye: Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare”.

Kryeministri shprehet se nuk ka përplasje mes shqiptarëve dhe grekëve, por ka një bashkëjetesë normale.

“Zoti Goro i cili ka përfaqësuar si kryetar bashkie, partinë që unë drejtoj, ashtu sikundër edhe dy kryebashkiakë të tjerë, të cilët sot janë në detyre dhe sot gëzojnë të drejtën ta ushtrojnë detyrën si përfaqësues të minoritetit grek; njëri me mbështetjen e PS edhe pse jo i PS-së, tjetri i PS, tregojnë që këtu s’ka një përplasje mes shqiptarësh dhe grekësh. Këtu ka një bashkëjetesë krejt të arsyeshme dhe krejt normale. Sa mijëra e mijëra tituj pronësie i ka dhënë familjeve minoritare për shtëpitë e ndërtuara pa leje, siç kanë bërë edhe shumë të tjerë familje shqiptare, apo titujt e pronësisë për objektet e kultit. Sot kishat në minoritet kanë tituj pronësie sepse qysh nga koha e komunizmit e deri kur kjo qeveri mori detyrën, jetuan të zhveshura nga kjo titujt e pronësisë”.

Një koment, Rama e dha edhe për marrëdhëniet mes Athinës dhe Greqisë dhe rrezikut se “Beleri” do ta pengojë Shqipërinë në rrigëtimin drejt BE-së.

“Kërcënimet për pengim të rrugës së mëtejshme te integrimit të plotë të Shqipërisë dhe anëtarësimit të saj të plotë në BE, në ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të hyjë në këtë proces, që t’i japë leje një të paraburgosuri që të shkojë të bëje betimin apo që të betohet në zyrë me noter siç thonë, është në mospërputhje të plotë, qoftë me të drejtën sovrane të Shqipërisë për të ushtruar dhe për të zbatuar legjislacionin e vet evropian në perimetrin e Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe me bashkëjetesën evropiane mes vendesh që janë vende demokratike, që i përkasin të njëjtës familje vlerash dhe ku nuk mund të bëjë vaki që njëri vend t’i tregojë tjetrit se si duhet të funksionojë në një rast konkret dhe çfarë duhet të bëjë në një rast konkret njëri apo tjetri  për të zbatuar ligjin në vendin e vet”.

Por, çfarë do të ndodhë nëse përfundon afati ligjor dhe Fredi Beleri nuk ka bërë betimin si kryebashkiak i Himarës? Kjo ëshë një çështje delikate, për të cilën Rama thotë se ka kërkuar opinionin e departamentit ligjor në Kryeministri.

“Ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja. Mirëpo ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor këtu në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë përsëri atë që është më e drejta. Unë do të isha  i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim  procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA