Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla ka kthyer në realitet një prej pikave të programit të lancuar prej tij ditën kur u vendos në krye të këtij dikasteri; dhënien e kredisë me zero interes për punonjësit e Policisë.
Në një deklaratë për shtyp nga Kryeministria, Balla theksoi se janë identifikuar 900 punonjës policie pa shtëpi dhe plani parashikon strehimin e 100 prej tyre brenda 2023-shit, 300 brenda 2024 dhe trajtimi i plotë i tyre deri më 2025-ën.
“Trajtimin me kredi me 0% interes të punonjësve të Policisë së Shtetit. Dua të informojë çdo Polic të Shtetit që ka krijuar një familje të re se maksimumi deri më 15 shtator, sa të bëhet gati formati në e-Albania, të aplikojnë për kredi me interes 0 nëse plotësojnë kërkesat.
Ne kemi identifikuar 900 punjës policie.
Gjatë këtij viti duam të trajtojmë 100 familjet e para për strehimin. 300 brenda 2024 dhe shpresojmë që të përmbyllen të 900 brenda 2025. Trajtimi me dinjiteti forcave të armatosura, shpresoj që në Vitin e Ri të mund t’i vizitoj disa nga efektivët e Policisë në shtëpitë e reja”- tha Balla.
I ndalur tek vetëpastrimi, ministri Balla fol për përpjekjet e nisura në prerjen e fijeve të krimit të organizuar me punonjës të caktuar policie. Sipas Ballës, lidhja e individëve të caktuar që mbajnë uniformën e Policisë me krimin, është një kancer që ka çuar edhe në humbje jete sikurse ishte rasti i gushtit 2009, kur dekonspirimi i një operacioni Policie, i dha 4 dëshmorë atdheut.
I pyetur nëse çdo fije e krimit në Policinë e Shtetit është prerë me ardhjen e tij në krye të Punëve të Brendshme, Balla tha se vetëpastrimi është një proces i vazhdueshëm.
“Procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit sapo ka filluar. Unë nuk jam këtu që brenda 40 ditëve, se fjala 40 ditë në traditën shqiptare ka shumë kuptime, të them se unë ia kam arritur qëllimit ta pastroj Policinë e Shtetit, por kam thënë që punoj çdo ditë në bashkëveprim me të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese. Kam vendosur dhe kam marrë garancitë e të gjitha institucioneve që këtë proces vetëpastrimi ta kryejmë në një kohë sa më të shkurtër, por mos harroni që ky është një proces i vazhdueshëm.
Punonjës policie që tradhëtojnë nga brenda strukturës së Policisë, aksionet e Policisë, do të jenë në zhdukje të vazhdueshme. Fijet që lidhin nga brenda Policisë së Shtetit, punonjës të caktuar të Policisë së Shtetit me organizatat kriminale apo me tradhëtimin e aksioneve të Policisë, do të vazhdojnë të priten ditë pas dite. Është e vërtetë që në Shqipëri është trashëguar dhe brenda Policisë së Shtetit është trashëguar një sëmundje, një kancer i cili ka çuar edhe në humbjen e jetëve të punonjësve të Policisë.
Meqë përmendët gushtin, besoj që të gjithë e mbajmë mend 7 gushtin e vtitit 2009, kur punonjësit e Policisë së Shtetit u çuan në një aksion dhe sot kemi 4 dëshmorë në Policinë e Shtetit, për shkaqe të rrjedhjes së informacionit. Prandaj, kjo është një përpjekje e cila duhet të intensifikohet dhe e vërteta është që vetëpastrimi në Policinë e Shtetit po jep rezultat. Gjatë muajit gusht, kemi patur 3 punonjës policie të arrestuar për shkak të hetimeve të kryera nga AMP dhe ndërkohë që dua t’ju informoj dhe t’ju garantoj që kemi plot hetime të tjera në proces dhe natyrshëm edhe për disa shqetësime që janë ngritur në publik”– tha Balla.
Më 7 gusht të 2009, 4 efektivë të forcave operacionele mbetën të vrarë në përpjekjen për arrestimin e të shumëkërkuarit nga drejtësia në atë kohë, Dritan Dajtit. Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari gjetën vdekjen pas përplasjes me armë mes tyre dhe Dajtit, ndërsa ky i fundit ndodhej në një makinë tip “Tuareg” i shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Nga shkëmbimi i zjarrit me Policinë, nga grupi i Dajtit vritet Ledion Mara, ndërkohë që vetë Dritan Dajti mbeti i plagosur. Përforcimet e mbërritura e neutralizuan autorin teksa mbante me vete tre dokumente të Policisë së Shtetit dhe një radiomarrëse të uniformave blu, çka tregonte qartë se operacioni ishte dekonspiruar.
Top Channel