Grusht-shteti në Gabon; Ushtria merr pushtetin, vendos presidentin Ali Bongo në arrest shtëpie (fotot)

30/08/2023 18:03

Presidenti i Gabonit Ali Bongo është dëbuar sot nga posti prej krerëve të ushtrisë dhe është vendosur në arrest shtëpie.

Gjeneralët e ushtrisë njoftuan më herët në televizion se po merrnin pushtetin dhe se anulonin rezultatet e zgjedhjeve të së shtunës, të cilat risollën në pushtet zotin Bongo por të deklaruara të manipuluara nga pozita.

Bongo dhe familja e tij qëndronin në pushtet prej më shumë se 50 vitesh në Gabon.

Në një fjalim që u lejua të mbante nga shtëpia e tij, Bongo nxiste mbështetësit “ngrini zërin tuaj”.

Oficerët e ushtrisë thanë se gjithashtu kishin arrestuar një prej djemve të Bongo për tradhti kombëtare.

Vendi është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Afrikë dhe ka rreth 90% të sipërfaqes të mbuluar me pyje, por njerëzit jetojnë në varfëri prej korrupsionit e keqmenaxhimit.

Ky është grusht-shteti i tetë në ish-kolonitë franceze në tre vitet e fundit, shkruan BBC, teksa shton se kufijtë e vendit janë aktualisht të mbyllura deri në një njoftim të ardhshëm.

Në mesazhin e tij Bongo konfirmonte se ishte në arrest shtëpie.

“Im bir është diku, gruaja ime diku tjetër… Nuk e di çfarë po ndodh”, tha ai duke folur në anglisht teksa më pas kërkoi ndihmë për rikthim në pushtet.

Ndërsa drejtuesit e grusht-shteti thanë në mesazhin e tyre se po “anulonin rezultatin e zgjedhjeve dhe po shpërbënin të gjitha institucionet e republikës”.

Zhvillimi erdhi pak pasi komisioni zgjedhor i Gabonit tha se Bongo kishte fituar dy të tretat e votës në zgjedhjet e të shtunës, të cilat opozita i denoncoi si thellësisht të manipuluara.

Edhe zgjedhjet e mëparshem të Bongo ishin njollosur nga akuzat e manipulimeve, ndërsa kësaj here ndryshime të kontestuara ishin bërë në fletët e votimit disa javë para ditës së zgjedhjeve.

Një prej ushtarakëve tha se “i kishin dhënë fund regjimit aktual” prej “qeverisjes së papërgjegjshme, të paparashikueshme, që kishte sjellë përçarje shoqërore dhe rrezikonte të çonte vendin në kaos”.

Në qytete të ndryshme në Gabon njerëzit dolën në rrugë për të celebruar largimin e Bongo.

Qeveria e Francës ka dënuar grusht-shtetin, duke kërkuar respektimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Kreu i Gardës presidenciale Gjen. Brice Oligui Nguema do të drejtojë pushtetin e përkohshëm, teksa një hetim po kryhet ku “zyrtarët do të përgjigjen për veprimet e tyre”.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA