Pavarësisht zhvillimeve të prodhuara nga hetimi Prokurorisë së Posaçme për koncesionin e sterilizimit, kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, panë vijimin e punës në spitalin “Shefqet Ndroqi”, në një nga 17 centralet e reja të krijuara me Partneritet Publik Privat për sterilizimin e pajisjeve mjekësore.
“Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” – Në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, që kanë garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve.
Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”- thuhej në mesazhin e Ramës bashkëngjitur pamjeve nga aktiviteti.
Në “Shefqet Ndroqi”, përpara se të shprehte qëndrimet e veta për sterilizimin, kryeministri dëgjoi opinionet e mjekëve për këtë proces.
“Përdorimi i kësaj teknologjie të re ka ulur infeksionet dytësore, ato që kanë qenë një problem shumë i madh për këdo për pacientin, por edhe për mjekun, kanë ulur ditë-qëndrimin në spital, si dhe kanë ulur koston e përdorimit të antibiotikëve. Mjekët e rinj që fillojnë punë tani nuk besojnë që ne kemi punuar me këto. Sot është çdo gjë elektronike”- tha një nga mjekët.
Kryeministri Rama duke mos e anashkaluar e mos kritikuar hetimin e SPAK theksoi përfitimet e sjella nga ky partneritet me privatin.
“Unë desha të vija më shumë për të shfrytëzuar këtë moment ku është bërë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës edhe të kompanisë përkatëse, midis përfitimit të madh që ka patur sistemi dhe çfarëdo qoftë, individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine po themi, që është çështja e tyre me drejtësinë, por ndërkohë një nga gjërat që janë shumë evidente sot, vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital, ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimit total që është bërë për këtë proces, dhe gjithë kostoja e përgjithshme që është parashikuar për procesin sot që flasim” – tha Rama.
Në një kohë kur gjyqtari Gjykatës së Posaçme, Erion Bani disa javë më parë kërkoi ndërprerjen e këtij partneriteti, kryeministri dha këtë qëndrim.
“Kur ndodhi në fillim ajo që u lajmëruan masat e sigurisë për atë grupin që ka bërë procesin, kam marrë disa mesazhe, por më shumë sesa pak mesazhe nga mjekë, që edhe ndonjë as nuk e njihja, se ishin të gjithë të shqetësuar se mos sekuestrohet dhe mos bllokohet kjo gjë dhe ku do shkojmë, dhe kjo nuk është fare pjesë e kësaj gjëje dhe nuk ka shanse sepse qëllimi jonë i përbashkët dhe arsyeja që e kemi bërë këtë, ka qenë që t’ju japim, ju në dorë instrumentet e klasit më të lartë sot dhe janë të klasit më të lartë sot; nuk ka qenë që hajde të bëjmë këtë dhe pastaj ju kapni ça të kapni. Kush sheh me këtë rast ‘’kapni ça të kapni’’, ka tjetër drejtim, atje ku e dimë. Ne jemi për këtë drejtim dhe kjo jo vetëm është e garantuar por duhet edhe të përsosim duke qëndruar vazhdimisht në nivelin më të lartë sepse ndërkohë edhe bota i përsos këtë gjëra”- tha Rama.
Që prej vitit 2016, Programi i sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë, si shërbim i integruar është shtrirë në 29 spitale në shkallë vendi.
Top Channel