Mitrovica shqetëson BE-në e SHBA-në: Koordinim për veprimet në veri!

25/08/2023 13:01

Kërkesa e Mitrovicës së Veriut për lirimin e një ndërtese komunale ku punojnë struktura serbe ka shqetësuar BE-në dhe SHBA-në. Zëdhënësi i bllokut europian, Petër Stano reagoi duke nënvizuar rrezikun e një përshkallëzimi të ri të tensioneve.

“Jemi të shqetësuar për ndikimin që do të kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale. Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të trajtohet në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Europian dhe në kontekstin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, u shpreh Stano.

Mundësia e një përshkallëzimi të mundshëm në veri ka bërë që të kërkohet koordinimi me ndërkombëtaret për çdo veprim atje. Kryetari shqiptar i komunës së Veriut të Mitrovicës kërkoi lirimin e një objekti komunal në këtë pjesë të qytetit në të cilin funksionojnë disa zyra që financohen nga Serbia, të cilat për Prishtinën zyrtare janë struktura paralele.

“Pas ftesës së komunitetit ndërkombëtar që kryetarët e paligjshëm të komunave të punojnë nga lokacione alternative, ata shkuan një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe hapësirat tona”, thuhet në një deklaratë të Listës Srpska. Në ndërtesën në fjalë gjenden institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës.

Edhe ambasada e SHBA-ve në një reagim të saj, ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, që të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund të rrisë tensionet.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.

Top Channel