“Dua të them askush këtu nuk do t’iu nënshtrohet torturave. SHBA-ja nuk bën zgjedhjen e qeverive të anëtarëve të NATO-s. Megjithatë, do të përcjell këtu të njëjtin mesazh si në të gjithë rajonin se Amerika i sheh si partnerë natyralë ata që janë të përkushtuar në integrimin europian, në NATO dhe luftën kundër korrupsionit”.

Me këto fjalë iu përgjigj në Shkup i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaratave të kreut të opozitës maqedonase, Hristian Mickoski i cili qe shprehur më herët se zyrtari i lartë amerikan ishte i mirëpritur për t’i dëgjuar argumentet e tij kundër ndryshimeve kushtetuese, “por jo edhe për presione dhe tortura kur bëhet fjalë për këtë çështje”.

Escobar, që u prit nga presidenti Stevo Pendarovski dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, do të ketë më vonë një takim edhe me Mickoskin vetë. Ai e bëri të qartë se e inkurajon Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë rrugën e integrimit europian pasi siç tha, “SHBA-ja dëshiron ta shohë këtë vend pranë strukturave evropiane”.

“Duam t’ju shohim në Bashkimin Evropian. Ju jeni anëtare e Këshillit eurotlantik, kështu që duam që të jeni sa më pranë strukturave evropiane. Më vjen mirë që ka nisur ky proces dhe shpresoj se do të vazhdojë”, u shpreh zëvendësndihmës sekretar i SHBA-së për çështjet e Europës dhe Euroazisë.

Marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e bazuar mbi atë që njihet si “propozimi francez”, i hapi rrugën Shkupit që të nisë bisedimet për anëtarësim në BE. Por, nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen, atëherë bisedimet nuk do të mund të vazhdojnë, pasi Sofja mban të drejtën e vetos, të cilën e ka përdorur në nëntor të vitit 2020.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA