Një nonsens i proporcioneve epike, kështu e përshkruan në blogun e tij shkrimtari grek Dimitris Danikas luftën mes Athinës e Tiranës për kryebashkiakun e Himarës, Fredi Beleri.
Në shkrimin e përshkuar prej tonesh të forta ironie, Danikas fshikullon stuhinë e ngritur prej qeverisë greke, të matur, siç thotë me metrin e marrëzisë së helenofrenisë famëkeqe dhe të pamposhtur, sipas të cilës Fredi Beleri është i mirin në këtë histori, dhe Edi Rama i keqi.
“Beleri është i mirë sepse është grek”, shkruan ai, dhe “Rama është i keq së është shqiptar”. Danikas tenton të përdorë logjikën duke treguar se nuk mundet ta mbështesë Belerin për faktin e vetëm se është zgjedhur kryetar bashkie i Himarës, teksa kujton sesi nuk merret njeri me dhjetëra kryebashkiakë të korruptuar në territorin grek.
“Përse Kostas Bakojanis e konsideroi detyrën e tij të shkonte drejt Himarës për të mbrojtur të drejtat e një kryebashkiaku të akuzuar për korrupsion zgjedhor? A zotëron ai ndonjë informacion specifik? A ka ai në duart e tij prova të forta të pafajësisë së Belerit që të shkojnë përtej çdo dyshimi”, pyet Danikas në shkrimin e tij, ndërsa tregon dhe arsyen përse po ndodh kjo sipas tij.
“Sepse është goxha reklame, dhe se shumë fanatikë nxituan të shpalosnin mërinë e tyre ndaj Shqipërisë. Dhe ky është një subjekt që shet”, vazhdon ai.
“Beleri nuk mund të jetë i pafajshëm vetëm për faktin që është grek dhe Rama nuk mund të ngarkohet me faj vetëm par faktin se është shqiptar”, thotë Danikas.
“Nëse marrim rolin e mbrojtësit me kriterin e vetëm helenizmin e tij dhe grushtohemi me Edi Ramën, në vend që ta rrethojmë me sulme miqësie dhe me lehtësira ekonomike drejt Shqipërisë, atëherë të gjithë pjesëtarët e trupit diplomatik që e besojnë një gjë të tillë, duhet t`i hedhin diplomat e tyre në detin Egje”, shprehet ai.
Top Channel