Albin Kurti vazhdon vizitën në Athinë!
Pas pjesëmarrjes në darkën jozyrtare të organizuar nga shefi i ekzekutivit grek, Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Kosovës zhvillon sot një takim kokë më kokë me homologun grek, mbi përmbajtjen e të cilit nuk dihet ende asgjë. Mbrëmjen e djeshme ndërkohë, në takimin që korrespondoi me 20-vjetorin e samitit të Selanikut, u diskutuan zgjerimi dhe e ardhmja europiane e Ballkanit.
Teksa në darkë u ritheksua mbështetja për zgjerimin e bllokut dhe anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE, u diskutuan dhe çështje rajonale. Kurti theksoi në ndërhyrjen e tij se të gjitha shtetet që aspirojnë aderimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë.
Dhe kusht për fqinjësinë e mirë, nënvizoi ai, është njohja reciproke si de jure, ashtu edhe de facto. “Minoritete do të ketë gjithmonë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e tyre, bazuar në Konventën Kronicë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, u shpreh Kurti.
Në fund të takimit u miratua dhe një deklaratë e përbashkët, e cila bën thirrje të injektohet energji e re në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, apelon për mbështetje të palëkundur për Ukrainën e ndëshkim për krimet e kryera gjatë luftës.
Kurti pati rastin të përshëndetej edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili gjithashtu ishte i ftuar në darkën joformale së bashku edhe me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së.
Kurti bisedoi gjatë darkës në Athinë edhe me kryetaren e KE-së, Ursula von der Leyen rreth nevojës për uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë. Von der Leyen i kërkoi kryeministrit të Kosovës riangazhim në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli duke insistuar se “është jetik kapërcimi i pengesave në rajon dhe afrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor me BE-në.”
Top Channel