Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa ndodhet në Athinë.
“Një ndër temat kryesore të këtij diskutimi ishin çështjet bilaterale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në zbatimin e reformave. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor (EU Growth Plan), të prezantuar nga vetë Presidentja Von der Leyen në Bratisllavë, zbatimi i marrëveshjeve nga Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe dialogu në Bruksel ishin ndër tema kryesore të diskutimit”, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka shënuar progres ekonomik edhe në këtë vit. Ai theksoi se rritja ekonomike reale për çerekun e parë të vitit 2023 është 3,9%.
“Në gjysmën e parë të 2023-tës të hyrat janë shtuar për 15,8%. Ndërkaq nënvizoi se inflacioni ka rënë nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor. Inflacioni këtë vit vlerësohet që të jetë në 5.2%”, njofton Kryeministria.
Kurti kujtoi takimin e Bratisllavës me 10 korrik për qetësimin e situatës dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që ka edhe numër të shtuar të punonjësve në ndërtesat komunale.
“Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat”, ka shtuar Kurti.
Gjithashtu ai i kushtoi vëmendje edhe rëndësisë së zbatimit të marrëveshjeve, duke përfshirë marrëveshjet në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që janë nënshkruar në Berlin në nëntorin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit.
Kryeministri Kurti sonte do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis, për liderët e Ballkanit Perëndimor, e cila po mbahet në 20-vjetorin e Samitit të Selanikut.
Top Channel