Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se gjuha të cilën po përdor Serbia është e njëjta që ka shkaktuar tragjeditë, plagët e të cilave po i vuajnë ende.
Haradinaj ka thënë se kjo gjuhë i takon të kaluarës, ndërsa shtoi se Serbia duhet të ndalë kërcënimet dhe të mos harrojë se ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman.
“Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën. Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit”, është shprehur Haradinaj.
“Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën. Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes”.
“Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike. Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga ‘status quo’ në të cilën gjendet”, ka përfunduar Haradinaj.
Ky reagim i Haradinajt vjen pas kërcënimeve të ministrit serb të Mbrojtjes, njëherësh edhe kryetar i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviç, i cili ka deklaruar se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, duke theksuar se “kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit”.
“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është ‘sui generis’, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, ka thënë ai për një media në Serbi.
Top Channel