Fshati i tronditur rus ku luftëtarët e Wagnerit akuzohen për gjashtë vrasje

21/08/2023 08:24

Në mëngjesin e 1 gushtit, zona e qetë e vendbanimeve në Dirivjane të Rusisë, është gdhirë nga një skenë e trishtueshme.

Dy shtëpi të drurit, në pjesë të ndryshme të fshatit, janë përfshirë nga flakët. Në shtëpinë e parë, policia i ka gjetur trupat e dy burrave. Në të dytën, policia i ka gjetur trupat e një çifti të martuar, vëllanë e burrit, dhe trupin e një pensionisti që ka qenë duke qëndruar me familjen. Të gjashtit janë therur me thikë për vdekje.

Ditën e njëjtë, policia i ka arrestuar dy të dënuar recidivistë – Maksim Bochkaryovin, 38-vjeçar, dhe Igor Sofonovin, 37-vjeçar, mbi dyshimet për vrasje dhe zjarrvënie.

Hetuesit kanë thënë se të dyshuarit, të cilët i hedhin poshtë akuzat, kanë qenë “jashtëzakonisht të dehur”, kur janë arrestuar afër shtëpisë së dytë të djegur.

Krimet shokuese kanë bërë edhe më shumë bujë kur është raportuar se Sofonov ka qenë ish-luftëtar në grupin mercenar rus Wagner, i cili është rekrutuar nga burgu, është plagosur në Ukrainë, është kthyer në Rusi, pas faljes së dënimit.

Pavarësisht faktit që mjekët nuk kanë arritur t’ia shërojnë të gjitha plagët, Sofonov ka planifikuar që t’i bashkohet ushtrisë dhe të kthehet sërish në front të luftës, kanë thënë familjarët e tij për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk kam pritur diçka të tillë”, ka thënë motra e Sofonovit, Aleksandra.

“Mendoj se e kanë shtyrë për të vepruar kështu. Nëse ai ka qenë i përfshirë, ky është sqarimi im i vetëm. Ai nuk do të bënte vetë diçka të tillë. Nuk ka pasur arsye. Kjo nuk ka kuptim”.

Vrasja masive në Dirivjane është një prej incidenteve në rritje kriminale, në të cilat dyshohet të jenë përfshirë të burgosurit rusë që janë falur për të luftuar në Ukrainë.

Sipas mediumeve ruse, të paktën 11 ish-luftëtarë të Wagnerit janë akuzuar këtë vit për vrasje, pasi janë kthyer nga lufta në Ukrainë. Në muajin qershor, para se ta orkestronte një rebelim të shkurtër, shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, ka raportuar se 32.000 ish të burgosur janë kthyer në Rusi, pasi kanë shërbyer në Ukrainë, duke pretenduar se shumë pak prej tyre kanë kryer krime pas kthimit.

Një ish-luftëtar i Wagnerit, që është identifikuar vetëm si Sergei S. është arrestuar në maj në qytetin siberian Novosibirsk, nën dyshimet për dhunim të dy vajzave të mitura.

Në mars, një veteran i Wagnerit me emrin Ivan Rossomakhin, është raportuar të ketë rrëfyer për therje me thikë të një gruaje për vdekje në qytezën Novi Bures, rreth 800 kilometra në lindje të Moskës. Ai është kthyer nga Ukraina vetëm 10 ditë para incidentit.

Rajon edhe i qetë, edhe i trazuar

Dirivjane, që në rusisht do të thotë dru, është qytezë e qetë por e trazuar nga rrugët me pemë të mëdha dhe shtëpitë e vjetra prej druri rreth 25 kilometra në jug të Petrozavodskit, kryeqytetit të rajonit Karelia. Në të banojnë rreth 1.000 persona.

“Ka shumë persona të varur nga droga në këtë fshat”, ka thënë një burrë i fshatit me emrin Aleksandr.

“Shumë prej tyre. Ka edhe shumë tjerë që janë liruar nga burgjet. Pronari i kafiterisë Sretensky Dvorik është njëri prej tyre dhe ai i fton miqtë e tij në fshat dhe u kërkon të bëjnë punë nëpër fusha. Para se të vinte ai, vendi ka qenë i qetë”.

Më 4 gusht, policia e ka gjetur trupin e 45-vjeçares Yana Ligorkova, e cila është zhdukur prej 20 korrikut. Ajo është gjetur pjesërisht e varrosur në një zonë për ruajtje të lopëve në fshat. mPolicia e ka arrestuar një 34-vjeçar për këtë rast, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, dhe e ka akuzuar atë për vrasje. Banorët e fshatit i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se i dyshuari për vrasjen e Ligorkovas ka qenë i varur nga droga.

Motra e njërës prej viktimave të vrasjes masive ka thënë se ngjarja ka ndodhur natën vonë.

“Vëllai im dhe vajza e tij kanë qenë në gjumë”, ka thënë Irina Zhamoidina.

“Djali i tij ka qenë duke shikuar televizorin. Kur ai nuk e ka hapur derën, ata e kanë thyer”.

Vëllai i Zhamoidinas Artyom Tereshchenko, 39-vjeçar, dhe babai i tij 71-vjeçar janë vrarë. Dy fëmijët, të moshave 9 dhe 12 vjeç, kanë arritur të ikin nga ndërtesa, kanë thënë mediat lokale. Gruaja e Tereshchenkos ka qenë duke punuar në ndërrimin e natës në një spital të afërt.

“Fëmijët janë dëshmitarë”, ka thënë ajo. “Nipi im e ka njohur menjëherë Bochkaryovin”.

Ajo ka thënë se nuk e ka idenë pse burrat kanë shkuar në shtëpi.

“Aty nuk ka pasur asgjë për të vjedhur. Asgjë me vlerë”, ka thënë ajo.

Maksim Bochkaryov njihet mirë në Dirivjane. Si banor i kamotshëm i fshatit, ai ka qenë disa herë në burg për krime serioze, përfshirë dhunimin dhe vrasjen. Ai është liruar më 2017 nga burgu dhe ka jetuar në këtë fshat për gjashtë vjet “kryesisht në qetësi”, kanë thënë fqinjët.

“Jam e sigurt se Bochkaryov duhet fajësuar”, ka thënë një banor fshati, i cili ka qenë në burg bashkë me Bochkaryovin dhe Sofonovin.

“Ai është njeri i dhunshëm. Idiot. Ai e ka shtyrë Igorin në gjithë këtë. Ai e ka shtyrë që të konsumojë alkool. Ai ka shitur drogë dhe policia nuk ka bërë asgjë”, ka pretenduar një banore e zonës.

“Ai ka qenë gjithmonë nën ndikim të drogës. Njerëzit frikësoheshin prej tij. Të gjithë janë ankuar për të gjithë kohë, mirëpo policia nuk ka bërë asgjë”.

Gruaja dhe vajza e Bochkaryovit nuk u është përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të komentuar në këtë temë.

Një rekrutues i Wagnerit e ka kërkuar Igor Sofonovin vitin e kaluar, kur ai ka qenë në burg në Shën Peterburg për vjedhje, plaçkitje, përdorim droge dhe tentim vrasje. Sikurse dhjetëra mijëra të dënuar në Rusi, atij i është premtuar sasi e madhe parash dhe falje nga dënimi, nëse lufton për gjashtë muaj kundër forcave ushtarake të Ukrainës.

Në shtator të vitit 2022, Sofonov është plagosur seriozisht në luftë, ka thënë Aleksandra për Radion Evropa e Lirë. Pas një hospitalizimi të gjatë, ai është dërguar në Rusi, në pranverën e këtij viti.

Ai ka shkuar të jetojë me nënën, por nuk ka arritur të gjejë punë, teksa ka tentuar t’i rregullojë dokumentet që i kanë humbur apo i janë shkatërruar sa ka qenë duke luftuar.

“Kam parë mish dhe gjak”, ka thënë ai në një audio-mesazh nisur një shoku.

“Tani po e rregulloj jetën dhe më pas do të nisem prapë në luftë. Kam vendosur ta ndryshoj jetën time. Nuk do të përdor më drogë. Nuk dua më diçka të tillë”.

Muajin e kaluar, Sofonov ka arritur në rajonin e Dirivjanës për ta vizituar motrën dhe fëmijët e saj. Kjo ka qenë hera e parë që ata janë parë në katër vjetët e fundit, ka thënë Aleksandra.

“Nuk më është dukur agresiv”, ka thënë ajo, duke i komentuar katër ditët që i kanë kaluar bashkë me fëmijët.

“Ai nuk ka folur shumë për luftën. Ka qenë i gëzuar. Ka buzëqeshur dhe ka luajtur me fëmijët”.

Mirëpo ajo e ka përmendur se një histori e tij e luftës ka qenë e paharrueshme.

“Ai e ka përshkruar një burrë të ri që ka qenë duke e pastruar armën. Ai është parë që nuk ka mbajtur kurrë armë në dorën e vet. Ai e ka prekur armën gabimisht dhe e ka hedhur kokën e vet në ajër”.

Në mbrëmjen e 31 korrikut, pak para se Sofonovi të shkonte për të pirë alkool me Bochkaryovin, me të cilin ka qenë në burg, Aleksandra e ka pasur një bisedë serioze me vëllain, duke tentuar ta bindë që të mos kthehet më në Ukrainë.

“Ne kemi qenë duke qëndruar afër njëri-tjetrit, ai ka qenë duke tymosur duhan”, ka rikujtuar ajo.

Ajo e ka pyetur vëllain nëse dëshiron të kthehet në luftë.

“Ai ka thënë: Dua t’ua dëshmoj njerëzve se jam mirë. Ndihem që askush nuk ka nevojë për mua”, ka thënë ajo.

Një mik i Sofonovit, që ka qenë me të në Ukrainë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Sofonov ka planifikuar që të martohet me një infermiere që e ka takuar sa ka qenë duke u shëruar nga plagët në rajonin ukrainas të Luhanskut, tani të kontrolluar nga Rusia. Ai ka planifikuar që të ruajë para për të blerë shtëpi dhe për të jetuar me të aty.

“Igori ka qenë në kërkim të një shtëpie në Luhansk”, ka thënë burri.

“Ai ka pasur plane goxha të mira. Më 1 gusht, ai ka planifikuar të kthehet në Shën Petersburg që të aplikojë te Wagneri për kompensim që është plagosur. Më pas ka planifikuar që ta nënshkruajë kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes”.

“Por, pse do ta kryente një kësi vrasje, nëse ka pasur plane kaq konkrete?” ka pyetur ai.

Motra e Sofonovit shpreson se vëllai i saj nuk është përfshirë në vrasjet në Dirivjane. Ajo ka thënë se edhe nëse ai është përfshirë, ngjarja nuk ka qenë e paramenduar.

“Njerëzit janë duke shkruar se ai është kafshë apo vampir”, ka thënë Aleksandra.

“Ai nuk është kafshë dhe as vampir. Ai nuk është ashtu. Gjëja e vetme që mund të mendoj është se ai ka pasur krizë mendore”.

“Kjo është shumë e vështirë për ne”, ka shtuar ajo.

“Më pas mendoj për gruan që ka mbetur e vetme me dy fëmijë. Çfarë mendon ajo? Çfarë kanë menduar ata?”

“Nesër më duhet të shkoj në punë. Nuk e di se si do t’i shikoj njerëzit në sy”, ka thënë mes tjerash Aleksandra.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA