Trump: Gjyqet të mos nisin para zgjedhjeve, republikanët të zgjohen!

18/08/2023 14:06

Donald Trump pretendon që gjyqet kundër tij të mos fillojnë përpara presidencialeve të vitit 2024, teksa ekipi i avokatëve mbrojtës të ish-presidentit amerikan propozoi që procesi gjyqësor të nisë mundësisht në prill 2026.

“Asnjë nga këto gjykime nuk duhet të lejohet të fillojë përpara zgjedhjeve. Republikanët duhet të bëhen më të ashpër e më të zgjuar, dhe sa më shpejt”, ka shkruar Trump në platformën e tij ‘E vërteta Sociale’, ku akuzoi shefin e Shtëpisë së Bardhë Joe Biden dhe stafin e tij për të gjitha paditë e ngritura.

Trump është paditur katër herë në gjykatat shtetërore dhe federale që kur la detyrën. Akuzat variojnë nga pagesat e parave për të blerë heshtjen e një ylli filmash për të rritur, tek përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve kombëtare, mbajtjen e paligjshme e dokumenteve të klasifikuara dhe tentativat për të ndaluar hetuesit të kryejnë detyrat e tyre.

Ish-Presidenti thotë se çdo aktakuzë e re kundër tij, në fakt po bën efektin e kundërt duke e shtuar përkrahjen për të, çka duket se konfirmohet edhe nga sondazhet e fundit. Megjithatë, sipas VOA-s, anketa të tjera theksojnë se Trump ka disa dobësi në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale. Për të fituar, veç emërimit të partisë republikane, ai duhet të mposhtë kandidatët e pavarur dhe demokratët.

Prokurori i Posaçëm kërkoi që fillimi i gjyqit të Trump të caktohet në janar 2024 në një kohë kur zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA do të mbahen në 5 nëntor të atij viti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA