Tre të arrestuar në Kosovë për keqpërdorim të rezervave shtetërore, Osmani: Të pritet epilogu i këtij rasti

18/08/2023 13:51

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është deklaruar sot lidhur me arrestimin e tre personave nën dyshimin për keqpërdorim detyrës zyrtare për rezervat shtetërore.

Sipas saj, duhet pritur epilogu i këtij rasti.

Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë një konference për media me rastin e vizitës në Komunën e Klinës.

“Komenti im është që për çdo proces të institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, ne duhet ta presim epilogun e rasteve. Dhe, në këtë moment, nga informatat që kemi, është e pamundur të paragjykohet epilogu i këtij rasti. Institucionet e kanë punën e tyre”, tha Osmani.

Policia e Kosovës i ka arrestuar në mëngjesin e së premtes tre persona nën dyshimet për kryerje të veprave “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”. Këtë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Po ashtu, policia e Kosovës ka kryer bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë , në banesën e biznesmenit Ridvan Muharremi, për të cilin është raportuar në media se është “njeri i afërt i kryeministrit Albin Kurti”, si dhe në lokalin e tij.

Top Channel