Pësoi aksident të tmerrshëm, portieri spanjoll lë spitalin pas 82 ditësh

18/08/2023 17:14

Lajm i mirë nga Spanja rreth situatës së portierit Sergio Rico.

E përditshmja madrilène “Marca” raportoi se portieri ka lënë spitalin pas plot 82 ditësh pas aksidentit të rëndë që pësoi rreth 3 muaj më parë.

“gardiani” spanjoll i cili mbron portën e PSG, pësoi një aksident  gjatë një gare me kuaj. Kjo bëri që portieri të binte në koma, duke shkaktuar panik në botën e futbollit.  29-vjeçari qëndroi për plot 1 muaj në koma dhe tashmë pas 82 ditësh ka lënë spitalin Virgen del Roccio në Sevilla.

Lajmin e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, Alba Silva, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Spanjolli u transferua tek PSG në shtatorin e vitit 2019 nga Sevilla për 6 mln euro, teksa gjysmën e dytë të sezonit 2021-2022 e kaloi në huazim tek Mallorca, për t’u rikthyer në Paris në verën e vitit të kaluar.

Sezoni i tij nuk u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa ”gardiani” ka kaluar 3 muajt më të vështirë të jetës së tij. Megjithatë nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e 29-vjeçarit, nëse do të qëndrojë në Paris, ku pasi të arrijë formën e duhur të luftojë për një vend në formacion apo do të kërkojë një tjetër ekip. Përpara se të transferohej tek PSG, Rico ka luajtur për Sevillan, ku është aktivizuar në 114 ndeshje./Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA