Si një mënyrë e shkëlqyer për të promovuar dhe festuar kulturën dhe ekonominë lokale, bashkia e Durrësit organizoi për herë të parë panairin “Taverna e Adriatikut” në kulmin e sezonit turistik që këtë verë ka shumëfishuar numrin e turistëve në qytetin bregdetar dhe rrethinat e tij.
Kantina vere dhe agroturizme të ndryshme, prodhues të vajit të ullirit, mjaltit dhe produkteve të shumta ushqimore, pastiçeritë më cilësore të Durrësit, po dhe artizanë të punës me dorë e kthyen ditën e parë të panairit në një përvojë argëtuese dhe edukative për vizitorët e shumtë. Nuk mungonte as stenda e librit dhe ajo e guidave dhe hartës turistike të përgatitura nga bashkia.
Që nga punimet tradicionale me grep dhe rruaza, bizhuteritë dhe suveniret e vogla deri te punimet ku arti dhe simbolika paraqiten përmes teknikave të veçanta, panairi sjell një shumëllojshmëri artikujsh ku çdokush mund të gjejë diçka të pëlqyer.
Produktet e detit dhe të agroturizmit ishin ndër stendat më të frekuentuara të panairit ku gjeje prodhime të freskëta dhe të gatuara sipas recetave tradicionale durrsake deri te verërat e prodhuara në vend.
Ndonëse periudhë pushimesh dhe shumica e tyre janë në punë, në këtë panair nuk munguan nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Hysen Ccela” të Durrësit, një shkollë që përgatit profesionistë të shumtë për tregun e punës edhe në degën e hoteleri- turizmit e teknologjisë ushqimore.
Vizitorët provuan më të mirat që Durrësi ka për të ofruar për banorët e vet dhe turistët. Panairi u kthye në një hapësirë publike dedikuar jo vetëm shijes së mirë, po dhe muzikës e argëtimit. Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve dha një koncert që krijoi një atmosferë festive në shëtitoren bregdetare “Taulantia”.
Panairi do të vazhdojë dhe të dielën në mbrëmje, ndërsa operatorët turistikë kërkojnë që ai të kthehet në traditë dhe të përfshihet në kalendarin e eventeve turistike për qytetin.
Top Channel