Kjo verë nuk ishte e nxehtë vetëm prej temperaturave, por edhe prej arrestimeve të bujshme me “dorë të hekurt” të SPAK që tronditi politikën dhe botën e krimit.
Sikurse kishte premtuar, uragani i SPAK nuk kurseu as “peshqit e mëdhenj”, shkundi pluhurin në dosjet e vjetra, “kapi” biznesmenë të lidhur ngushtë me krimin, madje preku të “paprekshmit” e politikës.
Operacionet e SPAK në fushën e krimit janë të pafundme nëse do t’i listonim, por sa e besojnë qytetarët se Prokuroria e Posaçme po godet të paprekshmit?
Të pyetur nga faqja e Web e Top Channeli përmes një sondazhi, 57.62% mendojnë “JO”, ndërsa 42.38% mendojnë “PO” dhe kanë besim te SPAK, një diferencë e vogël votash ndajnë qytetarë që besojnë te puna e SPAK me ata që janë mosbesues.
Pas hekurave ministra, kryebashkiakë dhe biznesmenë
Ngjarja më e bujshme e kësaj vere ishte ‘goditja’ ndaj ish-krahut të djathë të Ramës, Arben Ahmetajt. Pasi aprovoi vendosjen e sekuestros së pasurisë, gjyqtari Erion Bani i tha “PO” masës së sigurisë, arrest me burg ndaj ish zyrtarit të lartë. Ai është tashmë nën hetim për tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit e Tiranës siç deklaron SPAK. Ahmetaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndodhet jashtë Shqipërisë.
Akuza e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsioni me tenderat, i kushtoi jo vetëm detyrën disa kryebashkiakëve, por edhe kalimin e verës pas hekurave.
I fundit që ra në gracën e SPAK ishte ish-kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, në akuzë për shpërdorim detyre për shkak të dyshimeve për abuzim në një tender rruge. Dëmi i përllogaritur kap vlerën e konsiderueshme të rreth 234 milionë lekëve.
Ndër arrestimet më të bujshme të kryera ndonjëherë deri më tani, mbetet ai i ish-kryetarit të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici. Një video skandali e publikuar teksa ai kryente marrëdhënie intime me një grua brenda zyrës e detyroi atë të jepte dorëheqjen, por SPAK nuk e la me kaq. Ai u arrestua për korrupsion pasiv, pasi në videon ai shfaqet duke i ofruar mbështetje financiare gruas në fjalë mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.
Dhënia e lejes së ndërtimit për një pallat 11 vite më parë në lagjen nr. 5 të Durrësit u bë shkak për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie.
Vetëm dy ditë para zgjedhjeve, u arrestua kandidati i Berishës dhe Metës për Himarën, Fredi Beleri nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhjet apo blerjes së votave. Beleri u shpall fitues në zgjedhje nga qelia e burgut, por betimi i tij nuk u krye asnjëherë për të marrë detyrën dhe ai ndodhet ende pas hekurave,
Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, ra në pranga për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre mbi dyshimet e abuzimit në një tender me vlerë 3 milionë euro.
Mëngjesin e 28 korrikut kur temperaturat ishin në kulmin e tyre, SPAK njoftoi për megaoperacionin që zbardhi 1 vrasje dhe 5 tentativa të bujshme për vrasje. Nga hetimet e thelluara SPAK i gjeti mesazhe, prokurorit të Kukësit Xhevair Lita i dyshuar për korrupsion, ish-drejtorit të policisë operacionale Oltion Bistri i dyshuar për nxjerrje sekreti dhe shpërdorim detyre ku informohej Ervis Martinaj se kush e vëzhgonte e nga kush duhej të ruhej. Në skenë doli edhe Ardit Hasanbegaj një ish-polic i shkarkuar që dyshohet se siguroi kushte për tu mundësuar vrasja që mbeti në tentativë kundër Ibrahim Licit. Nga 15 persona për të cilët Gjykata e Posaçme nxori urdhër-arreste, policia vuri në pranga vetëm 6 prej tyre dhe 2 të tjerë u arrestuan në flagrancë.
Dosje të tjera të hapura
SPAK rihapi edhe hetimet ndaj Fatmir Mediut për Gërdecin, pas kërkesës së familjes Durda, të cilët humbën djalin 6 vjeç në këtë tragjedi.
Por dyert e SPAK janë hapur edhe për shumë personazhe të tjerë të politikës. Ish-ministrja e financave Anila Denaj iu përgjigj ftesës së SPAK për të dhënë detaje mbi dosjen e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Srevice”. Edhe Beqja është thirrur për të dhënë dëshminë e tij.
Kleida Muka/TCH
Top Channel