Balla: 100 vende të reja për oficerë policie. Ligj të ri për rifreskimin e Policisë

11/08/2023 09:30

Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me pedagogë e drejtues të Universitetit të Tiranës, me qëllim vënien e urave të bashkëpunimit institucional në kuadër të programeve të ekselencës për Policinë e Shtetit.

Balla njoftoi se në tetë qarqe të vendit janë çelur aplikimet për t’u futur në Akademinë e Sigurisë, të studentëve që kanë përfunduar të dy ciklet e studimeve në fusha: drejtësi, ekonomi dhe IT, me mesataren mbi 8.

“Jam sot këtu në Universitetin e Tiranës pikërisht për të  planifikuar së bashku një të ardhme të afërt të Policisë së Shtetit, e cila synon një ndryshim dhe patjetër theksi shkon te vetëpastrimi i radhëve të Policisë. Brenda strukturës së policisë ne tashmë po krijojmë mekanizma, të cilët synojnë të promovojnë njerëz me integritet të lartë moral dhe profesional”.

Ministri i Brendshëm shtoi se trupa e policisë ka nevojë të rinovohet dhe të thellojë vetëpastrimin e saj.

“Sfida për një rritje cilësore të nivelit profesional dhe trajnimin e vazhdueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit është po ashtu një sfidë e hapur. Sfida për të pastruar Policinë e Shtetit ka hyrë natyrshëm në një fazë të re, e cila natyrshëm kërkon edhe partneritete me institucione që prodhojnë kuadro me nivel të mirë dhe cilësor arsimor.”

Balla tha se janë 100 vende për t’u plotësuar në Policinë Kriminale, që do përzgjidhen nga ky kontingjent studentësh universitarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA