Azilkërkuesit në Britaninë e Madhe, mes tyre edhe shqiptarë, po largohen nga kontejnerët “Bibby Stockholm” në Dorset, pasi bakteri Legionella u gjet në sistemin e ujit të anijes.
Të gjithë ata që janë në bord mund të dërgohen në një zonë të re, si masë paraprake. Ministri i Emigracionit, Robert Jenrick mësohet se do të zhvillojë takime për situatën.
Bakteri Legionella, i cili zakonisht gjendet në ujë, mund të shkaktojë infeksion të rëndë të mushkërive, i njohur si sëmundja e Legjionarëve. Asnjë prej personave në kontejnerë nuk kanë treguar shenja të sëmundjes.
Testimi rutinë i furnizimit me ujë u krye fillimisht më 25 korrik, por sipas Sky News rezultatet nuk u kthyen deri më 7 gusht, në të njëjtën ditë kur azilkërkuesit nisën të hipnin në maune.
Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha se shëndeti dhe mirëqenia e atyre në bordin e anijes “është përparësia jonë më e madhe”.
“Mostrat nga sistemi i ujit në Bibby Stockholm kanë treguar nivele të baktereve të legjionelës, të cilat kërkojnë hetime të mëtejshme. Pas këtyre rezultateve, Zyra e Brendshme ka punuar ngushtë me UKHSA [Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar] dhe ka ndjekur këshillat e saj në përputhje me proceset e vendosura prej kohësh të shëndetit publik dhe duke siguruar që i përmbahet i gjithë protokolli nga ekipi i shëndetit mjedisor i Këshillit Dorset dhe Dorset NHS. Si masë paraprake, të 39 azilkërkuesit që mbërritën në anije këtë javë po largohen, ndërkohë që po kryhen vlerësime të mëtejshme. Asnjë individ në bord nuk është paraqitur me simptoma të legjionarëve dhe azilkërkuesve po u ofrohet këshilla dhe mbështetja e duhur. Mostrat e marra kanë të bëjnë vetëm me sistemin e ujit në vetë anijen dhe për këtë arsye nuk përmbajnë asnjë tregues të drejtpërdrejtë të rrezikut për komunitetin më të gjerë të Portland dhe as nuk kanë të bëjnë me ujin e ëmbël që hyn në anije. Sëmundja e legjionarëve nuk përhapet nga personi në person” , tha zëdhënësi sipas The Guardian.
Organizata bamirëse “Care4Calais” tha se ministrat duhet ta kuptojnë se mbajtja e refugjatëve në kontejnerë nuk është mënyra e duhur.
“Ne e kemi ditur gjithmonë se shqetësimet tona për shëndetin dhe sigurinë e anijes janë të justifikuara, dhe ky keqmenaxhimi i fundit vërteton mendimin tonë. Bibby Stockholm është një ilustrim vizual i mjedisit armiqësor të kësaj qeverie kundër refugjatëve, por gjithashtu është bërë shpejt një simbol i paaftësisë që ka thyer sistemin e azilit në Britani. Qeveria tani duhet të kuptojë se trajtimi ii refugjatëve në këtë mënyrë është krejtësisht i paqëndrueshëm dhe duhet të fokusohet në punën reale, përpunimin e kërkesave për azil me shpejtësi, në mënyrë që refugjatët të mund të bëhen anëtarë kontribues të komuniteteve tona siç dëshirojnë aq fort”, tha shefi ekzekutiv i “Care4Calais”, Steve Smith.
Qeveria duhet të ndalojë vendosjen e refugjatëve në strehime jo dinjitoze, tha drejtori i qendrës bamirëse “Liria nga Tortura”, Kolbassia Haoussou.
“Prania e baktereve kërcënuese për jetën në bordin e Bibby Stockholm është vetëm një tjetër zbulim tronditës që kemi parë të shpalosen gjatë javëve të fundit. Politikat ndëshkuese të kësaj qeverie dhe neglizhenca e qëllimshme e sistemit të azilit nuk janë thjesht mizore, por edhe të rrezikshme. Kjo qeveri duhet urgjentisht të ndalojë detyrimin e refugjatëve në strehim të pasigurt dhe jo dinjitoz dhe në vend të kësaj t’i përqendrojë përpjekjet e tyre në rindërtimin e një sistemi efikas që mbron njerëzit si unë që kanë ikur nga torturat dhe persekutimet”, thaHaoussou.
15 azilkërkuesit e parë hipën në “Bibby Stockholm” të hënën dhe një numër i vogël mbërriti gjithashtu të martën. Disa refuzuan të hipnin në anije mes paralajmërimeve nga Zyra e Brendshme se do të përballeshin me heqjen e mbështetjes nga qeveria.
Dr. Pankhania tha se sëmundja ka shumë të ngjarë të jetë përhapur përmes dusheve të përdorura në anije. Kapaciteti i anijes me kontejnerë është më shumë se 500 dhe është vlerësuar nga qeveria si një pengesë kundër kalimeve me varka të vogla drejt Britanisë.
Qeveria thotë se më shumë se 50,000 azilkërkues që kanë mbërritur me gomone përmes kanalit anglez, aktualisht jetojnë në hotele në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil në Mbretërinë e Bashkuar.
Plani për të përdorur kontenier të përshtatura për banim dhe objekte ushtarake të pashfrytëzuara janë shoqëruar me protesta nga politikanë dhe shoqatat humanitare, raporton Al Jazeera. Ata e kanë përshkruar strehimin për njerëzit që vijnë nga vende si Iraku, Irani, Siria, Afganistani apo Shqipëria si, çnjerëzore.
Numri i njerëzve që kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla në pesë vitet e fundit tani ka kaluar 100,000. Shifrat e fundit të Home Office treguan se 755 migrantë u zbuluan në Kanal të enjten, shifra më e lartë ditore deri më tani këtë vit.
Megjithatë, numri total i mbërritjeve të varkave të vogla deri më tani këtë vit është rreth 15% nën numrin ekuivalent në këtë pikë të vitit të kaluar.
Të martën, një azilkërkues tha se të jetuarit në Bibby Stokholm do t’i kujtonte atij fshehjen nga grupi i Shtetit Islamik.
Dy anije të tjera me kontejnerë të vendosura për të strehuar 1000 azilkërkues nuk mundën të gjenin ku të ankoroheshin dhe u janë kthyer pronarëve të tyre.
Top Channel