Dy persona kanë rënë në prangat e policisë në afërsi të fshatit Vërdovë të Pogradecit, pasi u kapën duke transportuar 21 emigrantë të paligjshëm me tre automjete kundrejt pagesave 300-1000 euro.

Sipas policisë, dy të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë me dy të arrestuarit.

Tre automjetet, një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 celularë janë sekuestruar nga policia gjatë operacionit policor të koduar “Midnight 14”.

Të katërt vepronin në mënyrë të organizuar, ku një pjesë drejtonin automjetet me emigrantë dhe opjesa tjetër mbikëqyrte rrugën për të shmangur patrullat e Policisë.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 14”. Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit E. K., 28 vjeç dhe F. Dh., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. S., 36 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë dhe N. T., 41 vjeç, banues në Tiranë. Në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin E. K., i cili transportonte me një automjet tip “BMW X5”, 7 emigrantë. Gjithashtu, shërbimet konstatuan se dhe shtetasit R. S. dhe N. T. transportonin me një automjet “Tuareg”, që lëvizte pas automjetit të shtetasit E. K., 14 emigrantë. Sapo janë sinjalizuar për të ndaluar automjetin, të dy këta shtetas e kanë braktisur atë dhe janë larguar me vrap. Vijon puna për kapjen e tyre. Në vijim të këtij operacioni, u kap dhe u vu në pranga edhe shtetasi F. Dh., i cili u konstatua teksa qarkullonte me një automjet tip “Volvo”, përpara 2 automjeteve të tjera, për të mbikëqyrur rrugën, me qëllim shmangien e patrullave të Policisë, sipas policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA