Shqipëria U19 luan sot një miqësore luksi përballë Italisë U19. Që në muajin korrik u shpall kampione Europe në turneun që u zhvillua në Maltë.
Pjesë e skuadrës së kaltër ishte edhe Luis Hasa, mesfushori me origjinë shqiptare i Juventusit, i cili dha kontribut të madh në fitimin e Europianit.
Miqësorja e sotme fillon në orën 17:30 dhe do të zhvillohet në Koverçiano, qendrën e ekipeve kombëtare italiane.
Trajneri Ervin Bulku ka ftuar 20 futbollistë për miqësoren e ditës së sotme. Ku nga Superiorja janë të përfaqësuar klube si Tirana, Dinamo, Vllaznia, Laçi dhe Teuta.
Ndërkohë që janë ftuar edhe Kaçurri nga Arsenali, Kurti nga Verona, Muça nga Brescia, Sulejmani nga Perugia dhe Krasniqi nga Heerenveen.
Shqipëria U19 është grumbulluar më 6 gusht dhe ka fluturuar menjëherë drejt Italisë. Duke u stërvitur në Koverçiano.
Kombëtarja U19 do të ketë edhe katër miqësore të tjera në muaj shtator e tetor, me rivalët që mbeten për t’u përcaktuar. Ndërkohë që në muajin nëntor, djemtë e Bulkut do të luajnë në kualifikueset e Europianit 2024.
Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar kombëtaren shqiptare në Grupin 13. Së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë. Në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023.
Top Channel