Sezoni i lypjes/ Prindërit nxjerrin fëmijët në rrugë, rrezikojnë jetën nga aksidentet dhe abuzimet

Sezoni i lypjes/ Prindërit nxjerrin fëmijët në rrugë, rrezikojnë jetën nga aksidentet dhe abuzimet

Gjatë sezonit turistik, në Durrës mbërrijnë edhe shumë persona nga zona të ndryshme të vendit.

Nuk vijnë për të pushuar, po për të kërkuar lëmoshë, aty ku turistët janë më të shumtë, në plazhe dhe rrugët kryesore të qytetit. Në këtë aktivitet, ata shpesh detyrojnë edhe fëmijët e vegjël, të lypin në rrugë duke shfrytëzuar ndjeshmërinë, keqardhjen që ata krijojnë te njerëzit.

Së fundmi, policia e Durrësit po e godet këtë fenomen të mprehtë social dhe kriminal që kërkon dhe angazhimin e strukturave të tjera sociale për ta parandaluar. Pesë persona, pjesëtarë të komunitetit rom që kishin ardhur në mënyrë të organizuar nga Berati u proceduan penalisht të mërkurën për veprën penale të keqtrajtimit të të miturve. Ata u gjetën nga shërbimet policore duke shfrytëzuar fëmijët e tyre nga 4-7 vjeç për të lypur në zonën e plazhit.

Në këto rrethana të paligjshme për të cilat janë përgjegjës të rriturit, fëmijët janë të ekspozuar edhe ndaj rreziqeve të shumta, sikurse janë problemet shëndetësore, aksidentet rrugore, dhuna fizike apo abuzimi seksual. Policia u bën thirrje qytetarëve dhe prindërve që të mos shfrytëzojnë të miturit për qëllime fitimi, të cilat janë jo vetëm të dënueshme nga kodi ynë penal, por dëmtojnë rëndë dhe shëndetin psiko-emocional të fëmijës.

Top Channel