Çmimet e larta të ushqimeve janë një shqetësim që vazhdon prej kohës për qytetarët.
Çdo ditë që dalin për të bërë pazare, qeset i mbushin më pak, pasi me të ardhurat që kanë, nuk arrijnë dot t’i përballojnë shpenzimet. Në tregun e fruta-perimeve, qytetarët thonë se çmimet janë shumë më të larta se sa duhet të ishin për sezonin.
“Janë rritur të gjitha, me zor marrim nga gjysmë kg, çerek kg”.
“Duke pasur parasysh sezonin duket sikur je në dimër, Çmime të shtrenjta”.
“Më shtrenjtë nuk ka ku shkon më, ne pensionet e ulta, çmimet e larta, hajde jeto. Shalqiri është 60-70 lek kg kur duhet të ishte 15 lek. Edhe domatet sa vjen e ngrihet, me një fjalë katastrofë e madhe”.
“Më keq nuk behet. Domatja është kulmi tani, 1500 lek e mora. Se si do e bëjmë vetëm zoti e di”.
Më të prekurit janë pensionistët, të cilët kanë të ardhura të pakta në muaj. Por edhe shumë familje që muajin duhet ta përballojnë vetëm një rrogë ose me ndihmë ekonomike.
Ulja e lehtë që pësoi inflacioni, duhet të ishte reflektuar edhe te çmimet e ushqimeve, por diçka e tillë nuk ka ndodhur thonë ekspertët ndaj shohin si të nevojshëm ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës.
“Edhe pse kemi një ulje të inflacionit kjo nuk është reflektuar në uljen e atyre produkteve bazë duke rënduar buxhetin e familjeve shqiptare dhe sidomos buxhetin e atyre familjeve që kanë të ardhura të ulta, këtu u referohem pensionistëve dhe grupeve vulnerabël. Në fakt nënçmimi i euros duhet të kishte reflektuar në ulje të çmimit pasi ne kemi një lidhje tepër të madhe me importin, jo vetëm për produktet e gatshme por dhe për lëndën e parë që kjo duhej të përkthehej në ulje të çmimeve por në të vërtet kjo nuk ka ndodhur por është përkthyer në fitime më të larta për tregtarët, pra fitime në mënyrë abuzive, ndaj Autoriteti Konkurrencës duhet të ndërhyjë dhe të hetojë se cila është arsyeja dhe pse nuk janë ulur çmimet e atyre produkteve që konsiderohen si produkte bazë”, thotë ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.
Rritja e çmimeve është vënë re edhe në qytetet që kanë fluks të lartë turistësh. Kjo vjen si pasojë e rritjes së kërkesës për produkte dhe shërbime, por ata që e pësojnë janë banorët e zonës.
Top Channel