“Karshillëk ndaj ligjit”, që do të goditet me vendosmëri përditë e më tepër, e cilëson ministri i Brendshëm Taulant Balla fenomenin e armëmbajtjes pa leje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve përgjatë kontrolleve që ushtrohen nga forcat e policisë.
“Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë. Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë.
Në të gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit po organizon dhe realizon goditje të përditshme ndaj këtij fenomeni. Ndalimi gjatë natës së mbrëmshme i një oficeri të Gardës së Republikës, për armëmbajtje pa leje, tashmë i arrestuar dhe i përjashtuar menjëherë nga radhët e Gardës, konfirmon qartë angazhimin se në rrjetën e forcës së ligjit do të bien të gjithë shkelësit.
Gjithashtu gjatë operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje Policia e Shtetit ka arritur të parandalojë në kohën e duhur një ngjarje të rëndë kriminale. Jam i sigurt se kam mbështetjen e qytetarëve në goditjen e këtij fenomeni, por kërkoj gjithashtu edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, të dashur qytetarë, përgjatë kontrolleve të policisë, të cilat do të jenë të shpeshta”, shkruan ministri Balla.
Gjatë natës së kaluar, një punonjës i Gardës së Shqipërisë është arrestuar për armëmbajtje pa leje. 32-vjeçari Kristjan Gjini u arrestua në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Policia e Tiranës, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Arrestimi i gardistit u bë gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë në automjetin e tij, ku iu gjet një armë zjarri pistoletë pa leje.
Top Channel