Ndotja e ajrit shkaktar në rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve/ Në një vit, 1.3 milionë njerëz në botë vdesin për këtë arsye

08/08/2023 11:21

Ndotja e ajrit po ndihmon në rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve që përbën një kërcënim të rëndësishëm për shëndetin e njeriut në mbarë botën, sugjeron një studim.

Studimi i One Health është i pari që tregon se si ndotja e ajrit ndikon në rezistencën ndaj antibiotikëve në nivel global.

Në këtë studim janë përdorur të dhëna nga 116 vende dhe përfshin gati dy dekada studime, hulumtime dhe analiza. Rezultati tregon se rritja e ndotjes së ajrit është e lidhur me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve të qytetarëve të çdo vendi dhe kontinenti.

Analiza jonë paraqet prova të forta se rritja e niveleve të ndotjes së ajrit është e lidhur me rritjen e rrezikut të rezistencës ndaj antibiotikëve”, thuhet në studim.

Gjetjet janë publikuar në revistën Lancet Planetary Health .

Rezistenca ndaj antibiotikëve është një nga kërcënimet me rritje më të shpejtë për shëndetin global. Ai mund të prekë njerëzit e çdo moshe në çdo vend dhe tashmë po vret 1.3 milionë njerëz në vit.

Studimi vërteton se grimcat PM 2·5 kanë elementë të ndryshëm të rezistencës ndaj antibiotikëve që përhapen dhe kalojnë në gjak përmes sistemit të frymëmarrjes.

 Grimcat PM 2·5 janë grimca pluhuri më të vogla se 10 mikron, një përzierje e grimcave të ngurta të tymit, pluhurit të blozës dhe acidit, me metale të rënda si plumbi, kadmiumi, nikeli dhe arseniku. Ato formohen nga efektet e kombinuara të ngrohjes, trafikut dhe industrisë së rëndë. Janë shumë të vogla dhe hyjnë në qarkullimin e gjakut direkt nga sistemi i frymëmarrjes. Ekspozimi i zgjatur ndaj këtyre ndotësve mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore.

Frenimi i ndotjes së ajrit mund të ndihmojë në uljen e rezistencës ndaj antibiotikëve dhe se kontrolli i ndotjes së ajrit mund të zvogëlojë shumë vdekjet dhe kostot ekonomike që rrjedhin nga infeksionet rezistente ndaj antibiotikëve.

Autori kryesor i studimit, Prof Hong Chen i Universitetit Zhejiang në Kinë, tha: “Rezistenca ndaj antibiotikëve dhe ndotja e ajrit janë secila në vetvete ndër kërcënimet më të mëdha për shëndetin global. Deri më tani, ne nuk kishim një pamje të qartë të lidhjeve të mundshme midis të dyjave, por kjo punë sugjeron se përfitimet e kontrollit të ndotjes së ajrit mund të jenë të dyfishta: jo vetëm që do të reduktojë efektet e dëmshme të cilësisë së ajrit, por gjithashtu mund të luajnë një rol të madh në luftimin e rritjes dhe përhapjes së baktereve rezistente ndaj antibiotikëve.”

Aktualisht, bota është në një epokë të rezistencës ndaj antibiotikëve në të cilën dështimi i trajtimit me antibiotikë dhe vdekshmëria e shkaktuar nga infeksionet bakteriale është në rritje galopante.

Megjithëse keqpërdorimi dhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve janë nxitësit kryesorë të rezistencës ndaj antibiotikëve, përhapja e shpejtë e baktereve dhe gjeneve rezistente ndaj antibiotikëve është gjithashtu shkaktar i rëndësishëm i rezistencës ndaj antibiotikëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA