Kurti emëron ministrin e ri të Mbrojtjes/ Mehaj: Largohem për arsye familjare

08/08/2023 13:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuurti ka njoftuar se ka emëruar kolonelin e FSK-së Ejup Maqedonci në pozitën e ministrit të Mbrojtjes.

Kryeministri Kurti në një postim në Facebook ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të deritanishëm Armend Mehaj, e cila sipas tij është bërë për shkaqe familjare.

“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera”, ka shkruar Kurti.

Së fundmi, Maqedonci ishte oficer me përgjegjësi primare për ushtrimin e madh “Defender Europe 23”.

Ndërsa Mehaj, përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, tha se dorëheqja e tij nga kjo pozitë ka ndodhur për arsye familjare.

Në letrën e tij të gjatë ai ka përmendur arritjet, midis të cilave sipas tij, është shtimi kontakteve dhe fuqizimi i raporteve të dyanshme me aleatët si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar.

“I kemi shtuar kontaktet dhe i kemi fuqizuar raportet e dyanshme me partnerët dhe aleatët tanë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë, Italinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe me vende të tjera të NATO-s, ku Kosova synon të anëtarësohet si shteti i 33-të anëtar. Kemi nisur edhe shumë e shumë projekte dhe programe, që ndër vite do t’i prodhojnë efektet e tyre progesiste për forcimin e FSK-së, për çka i kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore dhe materiale në dispozicion, duke i menaxhuar në mënyra sa më efikase me qëllim të maksimalizimit të efektshmërisë”, shkruan Mehaj.

Top Channel