
Autori i vrasjes së ndërtuesit 55-vjeçar në qytetin e Vlorës, Rei Meta është djali i Nurihan Seiti, anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Burime pranë policisë së Vlorës konfirmojnë se Rei Meta fuste shpesh herë sekserë për pronat në Vlorë dhe mbante përgjegjësi në emër të së ëmës, Nurihan Seiti, anëtare e KLP. Meta kërkonte që për lejet e pronave që jepeshin, apo zgjidhjen e marrëveshjeve të mbante dhe ai përfitime.
Në rastin konkret mësohet se Rei Meta kishte bërë një marrëveshje edhe me ndërtuesin Armando Meshau për një pronë, por viktima e ka gjetur dakordësinë me palën e tretë, duke e prishur marrëveshjen. Meta pretendonte se Meshau duhet ti jepte një apartament pavarësisht se nuk ishte ai personi që zgjidhi konfliktin.
Në dëshminë e tij Rei Meta ka thënë se nuk ka patur motiv për të vrarë ndërtuesin. Po sipas tij Armando Meshau, e ka sharë i pari dhe e ka goditur ai kur konflikti është përshkallëzuar.
Meta gjithashtu pretendon se ka goditur për vetëmbrojtje teksa shton se 55-vjeçari e ka humbur jetën nga përplasja me tokën, ose ndonjë orendi të internet kafesë, në momentin kur është rrëzuar përtokë si rrjedhojë e grushteve. Sipas tij vdekja e 55-vjeçarit pretendohet të jetë aksidentale.
Policia e Vlorës ka sekuestruar kamerat e sigurisë në pikën e internetit si dhe ka shoqëruar 10 persona, kryesisht dëshmitarë në ngjarje që do të ndihmojnë për zbardhjen dhe hetimin e plotë të saj.
Top Channel