Çmimet e çmendura në Itali largojnë turistët drejt Shqipërisë, shkruan Davide Carlucci për gazetën italiane ”La Repubblica”.
Nën titullin “Shqipëria, Maldivet e Europës: plazhi i fundit i pushimeve me shezlong dhe çadra për 10 euro”, gazeta italiane i bën jehonë pushimeve ende të lira në Shqipëri.
”Pushimet në Itali janë të shtrenjta kudo thotë një çift italianësh për gazetën, duke treguar se e kanë zëvendësuar tashmë vendin e tyre me Shqipërinë.
”Kemi paguar gjithsej 1 200 euro, plus 850 euro për tragetin me makinë në bord. Tani do të shohim sa do të shpenzojmë për ushqimin. Na thonë se edhe atje janë rritur çmimet por sigurisht jo aq sa në Itali”, shprehen ata.
“Një darkë e bollshme me peshk të kushton maksimumi 25 euro, dyfishi i asaj në Itali. Dhe unë njoh gjithnjë e më shumë njerëz që po zgjedhin të vijnë këtu. Edhe mamaja ime dëshiron të blejë një shtëpi!”, thotë një tjetër italian.
Por jo vetëm të rinj e të moshuar, La repubblica shkruan se Shqipërinë po e zgjedhin gjithnjë e më shumë edhe profesionistët në Itali, si mësues e mjekë.
Tani Shqipëria paraqitet si një botë ende e virgjër dhe për t’u eksploruar, por e gatshme për të qenë sfondi i dëshirave intelektuale dhe bredhjeve endacake.
Shqiptarët i mirëpresin evropianët që i pritën kur e kishin problemin se si të mbijetonin. Ata ia kthejnë mikpritjen, por pa më shumë komplekse inferioriteti.
Top Channel