Shqipëria është një hap më afër krijimit të Sinjalit Amber për fëmijët e humbur, duke u bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të zbatojë sinjalin.
Në 13-14 Qershor është mbajtur në Tiranë trajnimi përfundimtar i rreth 30 punonjësve të policisë, të cilët vinin nga të 12 drejtoritë e policisë në vend, si dhe e punonjësve të linjës së parë në mbrojtje të fëmijëve. Trajnerët vinin nga SHBA, Greqia dhe Shqipëria, me eksperiencë të gjatë në mbrojtjen dhe gjetjen e fëmijëve të humbur.
Referuar statistikave të mbledhura nga organizatat joqeveritare, në Shqipëri thuajse çdo vit humbin apo largohen nga shtëpia 100-120 fëmijë dhe adoleshentë, të cilët shpesh gjenden në situata të rrezikut të jetës apo sigurisë së tyre.
Në Europë, janë 20 vende që kanë zbatuar ‘Amber Alert’ për fëmijët e humbur. Sinjali Amber është një sistem i njohur ndërkombëtar, që drejton palët kryesore të interesuara, të cilat përfshijnë organet ligj-zbatuese, institucionet qeveritare, OJQ-të, median (TV, radio), agjencitë e transportit, ofruesit e shërbimeve të internetit, kompanitë e mediave sociale e shumë të tjerë, për të bërë të mundur transmetimin e sinjalit në momentin që humb një fëmijë, që i mundëson publikut të marrë pjesë në kërkimin e fëmijës së zhdukur, humbur apo të rrëmbyer.
Në momentin që një fëmijë humb, në telefonat e qytetarëve të zonës ku ka ndodhur rrëmbimi i një fëmije, do të shkojnë një mesazh ku do të jepen disa të dhëna mbi të miturin. Nëse qytetarët do të kenë informacion mbi ngjarjen do të kontaktojnë në AMBER-ALERT.
Sinjali AMBER është një sistem i shpejtë i deklarimit të emergjencës për fëmijët e humbur. Ky sistem i aplikueshëm tanimë në 129 vende të botës, ka rezultuar efektiv në 96% të rasteve.
Top Channel