Kullë në vend të parkut/ Basha: SPAK të nisë hetimet! Këlliçi: Do të zhduket ishulli i fundit i gjelbër në qendër të Tiranës

06/08/2023 22:09

Kryedemokrati Lulzim Basha kërkon hetim nga SPAK për kullën që do të ndërtohet në vendin që deri më tani ka qenë park, pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

Prishja e një prej parqeve të pakta që i kanë mbetur Tiranës për të ndërtuar aty një kullë të re është dëshmi e qartë e shkatërrimit të kryeqytetit dhe përdorjes së hapësirave publike si lavatriçe për të pastruar paratë e krimit, shkruan demokrati në reagimin e tij, të publikuar në rrjetet sociale.

Inkurajoj SPAK të nisë menjëherë hetimet për të zbardhur se kush fshihet pas kësaj kulle? Paratë e kujt po pastrohen aty?

Hapësira e gjelbër që po shkatërrohet ngrihet mbi gropën që qelbi për vite të tëra Tiranën, tashmë po shndërrohet në kullën ku do pastrohen paratë e krimit, korrupsionit dhe pazareve të pista politike. Ndaj thirrja ime për drejtësinë është që ajo të shndërrohet në skenë krimi para se të jetë vonë.

Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë hetimin nga SPAK të ndërtimeve me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit në hallkat kryesore të qeverisjes. ‘Ndiq paranë dhe lidhjet me krimin’ është thelbi i vettingut të politikanëve. Është i domosdoshëm miratimi i një pakete ligjore radikale kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, jo vetëm për dënimin e korrupsionit, por edhe për sekuestrimin e pasurive që vijnë nga këto afera dhe që fshihen pas oligarkëve”.

Pas Bashës, ka reaguar dhe demokrati Belind Këlliçi:

“10 muaj më parë kur denoncova shkatërrimin e lulishtes së fundit në Tiranë, shumëkush nuk e mori seriozisht. Nga sot, zyrtarisht fëmijët dhe nënat e shumta që frekuentonin këtë lulishte, nuk do ta kenë më as ishullin e fundit të gjelbër brenda perimetrit urban të Tiranës. Erion Veliaj ky armik i qytetit tonë, ky hajdut i taksave dhe hapësirave tona publike, shumë shpejt do duhet të dalë përpara drejtësisë”.

Këtë të diel, mbështetës të Lëvizjes Bashkë, por dhe qytetarë e banorë të zonës, protestuan para parkut, që është rrethuar, për t’u kthyer më pas në një kantier ndërtimi. Ata kundërshtojnë projektin për ndërtimin e një kulle dhe kërkojnë rihapjen e parkut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA