Sezoni turistik po shoqërohet këtë vit në jug me një profil të ndryshëm klientësh.
Promovimi i turizmit me kosto të ulët nuk po ju shërben sa duhet destinacioneve me potencial të lartë sidomos atraksioneve natyrore dhe kulturore dhe po rezulton jo mjaftueshëm efektiv edhe për guidat lokale.
Gjithnjë e më tepër sipas guidave ekspertiza lokale në turizëm është duke u evituar dhe shumica e turistëve preferojnë të eksplorojnë pa ndihmën e tyre. Vetëm gjatë këtij sezoni numri i aksidenteve për shkak të vetëguidimit sidomos në zonën e kanioneve të Langaricës, ecjet në shtratin e lumit, zhytjet në Vjosë, lëvizjet me motora ose mjete jashtë rruge, lëvizjet me biçikleta dhe një gamë e gjerë aktivitetesh të aventurës kanë shkaktuar dhjetëra persona të dëmtuar dhe paktën tri vetë kanë humbur jetën.
Nga ana tjetër numri i atyre që guidojnë pa liçensa dhe pa kompetenca profesionale të konfirmuara është mjaft i lartë. Ekspertët lokalë besojnë se rajoni kërkon një tjetër qasje valorizimi çka që duhet të lidhet me një tjetër profil klienti dhe me përmirësim të shërbimeve të përshtatura për klientë më cilësorë. Kohëqëndrimi në rajon gjithashtu duket se ka një rënie pavarësisht se shifrat e vizitorëve po kulmojnë këtë verë.
Në të gjithë qarkun e Gjirokastrës janë të regjistruara rreth 700 bujtina dhe njësi akomoduese dhe mbi 400 restorante. Në territor mund të shijohen rreth 80 eksperienca të ndryshme por niveli i shpenzimit ditor për vizitor ngelet ende mjaft i ulët në raport me numrin e vizitorëve. Informaliteti në nivele të larta dhe konkurenca e pandershme po bëhen pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe motivimin e operatorëve dhe guidave lokale.
Top Channel