Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç përdor çdo mjet për të krijuar tensione në mënyrë që pajtimi me Kosovën të mos ndodhë.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress avokati serb, Cedomir Stojkoviq.

“Epo në përgjithësi, unë shoh që Aleksandër Vuçiq dëshiron të përdorë çdo burim që ka për të krijuar tensione dhe për të ndalur pajtimin, sepse nëse krijojmë pajtim mes popujve tanë, atëherë politikanët si Aleksandër Vuçiq do të humbasin publikun e tyre dhe askush nuk do të votojë për ta. Pra, ai ka nevojë për tensione për të shpëtuar pushtetin…Ai ulet vetëm në një karrige që nga fillimi dhe kjo është karrigia ruse dhe gjithçka tjetër është vetëm një maskë, është vetëm një gënjeshtër, është thjesht mashtrim. Ai është djaloshi rus, ai është njeriu rus dhe të gjithë e pamë këtë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ajo që duhet të bëjmë në Serbi është t’u tregojmë partnerëve perëndimorë fytyrën e vërtetë të Aleksandër Vuçiqit, tani është e lehtë, Perëndimi po e kupton gjithnjë e më shumë se kush është ai. Pra, kjo është gjithçka që duhet të themi për të”.

 Në intervistën për KosovaPress, Stojkoviç flet edhe për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi dhe thirrjet e serbëve për të kthyer ushtrinë në Kosovë. Ai shprehet i pakënaqur me mënyrën se si bashkësia ndërkombëtare sillet me Serbinë, ndërkohë që ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Sipas avokatit serb, një regjim i tillë antidemokratik si i Vuçiçit duhet të jetë nën sanksione të Perëndimit.

“Jam shumë i pakënaqur sesi Perëndimi sillet me Serbinë. Kështu që mund të them më shumë për këtë, mendoj se ky regjim në Beograd, i cili është regjim antidemokratik, antievropian dhe antiperëndimor duhet të jetë nën sanksione, kështu mendoj. Unë jam qytetar i Serbisë dhe mund të flas për vendin tim…Ajo që mund t’ju them është se nëse BE-ja dhe SHBA-të vendosin sanksione kundër Kosovës, ekstremistët në vendin tim do ta përdorin atë për qëllime të tyre. Dhe kjo është arsyeja pse kjo është diçka e keqe. Nuk e di a meritoni sanksione apo jo, unë me të vërtetë nuk e di. Por, e di që nëse jeni nën sanksione, regjimi prorus në Beograd dhe regjimi antiperëndimor në Beograd, do ta përdorin atë në favor të Rusisë, në favor të politikës nacionaliste, në favor të politikës shoviniste.

Para disa ditësh mediat serbe shkruanin se Vuçiç ka thënë se në 11 vjetët e fundit ka investuar 8 miliardë euro për serbët në Kosovë, por një gjë të tillë, avokati serb e quan gënjeshtër.

Sipas tij, po të qëndronte një gjë e tillë, në veri të Kosovës do të krijohej një “Dubai i vogël”. Megjithatë, nuk mohon se kriminelët serbë janë ndihmuar financiarisht nga Serbia.

Top Channel