Turizmi natyror në Pustec po rritet vit pas viti dhe janë kryesisht pushuesit e huaj ata që më shumë sesa për plazh i drejtohen fshatrave buzë liqenit të Prespës për të eksploruar natyrën dhe atraksionet kulturore.
Një grup studentësh nga Hollanda të cilët zgjodhën këtë vit Shqipërinë si destinacionin e tyre për pushimet e verës sapo mbërritën në qendër të Pustecit nisën kërkimet për një varkë që t’i drejtoheshin Ishullit të Maligradit, një shërbim që ofrohet nga banorët e zonës.
“Jemi një grup studentësh nga Hollanda dhe kemi vendosur që pushimet t’i kalojmë në Shqipëri. Po qëndrojmë në Pogradec dhe lexuam që këtu është Parku Kombëtar i Prespës ndaj vendosëm ta vizitojmë. Sapo arritëm dhe kërkuam një varkë për të lëvizur në liqen. Është diçka e bukur dhe duam të vizitojmë ishullin që është në liqen por edhe disa site të tjera”, tha studenti.
“Natyra është shumë mahnitëse. Kemi bërë hiiking dhe dhe ishte diçka shumë e bukur, malet, liqeni dhe natyra këtu është arsyeja për të cilën kemi ardhur”, u shpreh student tjetër.
Për ata që e zgjedhin Pustecin për të pushuar më gjatë, organizimi i ditës është ndryshe pasi krahas vizitave në pika të ndryshme, ka pushues që zgjedhin të bëjnë edhe punë komunitare dhe ti ndihmojnë banorët.
Për të qëndruar një natë në Pustec dhe për të shijuar 3 vaktet e përgatitura nga amvisat në shtëpitë pritëse, një pushuesi i nevojiten 3000 lekë ndërsa natyra e virgjër dhe vizitat në kishat heremite janë ajo çka ofrohet për një turizëm ndryshe.
Top Channel