Kujdesi për fëmijët me autizëm/ Nëna hap shkollë verore për të rinjtë si djali i saj

05/08/2023 20:16

Brixhida Muça është nënë e një djali me spektrin e autizmit, e nisur nga historia e saj, prej tre muajsh ka “zgjeruar” familjen duke hapur një shkollë për të rinjtë autik mbi moshën 15 vjeç, të cilët hasin ende vështirësi me integrimin në shoqëri.

“Opinioni, pranimi, dalja në rrugë, të gjitha të vrasin, por unë nuk dorëzohem”- tha Brixhida Muca.

E gjitha ofrohet pa pagesë, një strehëz ditore për të rinjtë dhe prindërit e tyre të cilët kanë nevojë të përditshme jo vetëm për mbështetje psikologjike, por edhe terapi të kushtueshme.

“Në këtë moshë nevoja është shumë e madhe për kujdes sepse ata kanë vështërisë të pranohen. E kush më mirë se unë, një nënë me fëmijën me këtë problematikë mund të bënte një qendër të tillë”- tha Brixhida Muca- drejtuese e “Lumturo Dhimbje”

“Lumturo dhimbjen” është qendra ku gjen histori nga më të mundimshmet. Ajo që ishte përtej të imagjinueshmes është rrëfimi i Valentinës, e cila ka dy djemtë binjak me autizëm, me bashkëshortin e ndarë nga jeta ajo kujdeset e vetme për fëmijët, duke e pasur të pamundur të punojë prej dedikimit për ta. Shkolla tashmë e ka lehtësuar, por shqetësimi i saj është i vazhdueshëm për  mungesën e vëmendjes nga institucionet shtetërore.

“Meraku im janë vetëm fëmijët. Unë nuk kam jetë. Por ajo që mendoj është se kur të mos jem unë, çfarë do bëhet me ta? Cili do jetë fati i tyre?”- tha Valentina

Interesi për shkollën ka qenë i madh edhe gjatë verës, tregon Brixhida, pasi edhe rastet e fëmijëve me autizëm ndër vite janë shtuar. ndaj ajo fton njerëzit të rrisin vëmendjen ndaj tyre, e kush është I specializuar të ofrojë shërbimin e tyre terapeutik vullnetarisht duke ndihmuar familjet me pamundësi ekonomike.

Top Channel