Vrasja e 32-vjeçares Luljeta Preza dy ditë më parë ka zbuluar shfrytëzimin seksual të së miturës 15 vjeçare në Durrës nga bashkëjetuesi i saj.
E mitura, e cila është nën hetim për veprën “Moskallëzimi i krimit” dëshmoi se E. P., 24 vjeç e ka shfrytëzuar për prostitucion gjatë kohës së bashkëjetesës.
Policia vuri në pranga të riun me banim në Durrës, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.
“Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të proceduar penalisht për vrasjen e shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, më datë 02.08.2023, rreth orës 10:35, ju bëjmë me dije se: Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 02.08.2023, ka kallëzuar shtetasja 15 vjeçe, e proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ditën e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Deluzion”, se gjatë kohës që ka bashkëjetuar me shtetasin E. P., ky i fundit e ka shfrytëzuar për prostitucion. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, sipas njoftimit të policisë.
Kujtojmë se Luljeta Preza nga Sukthi, pjesë e komunitetit rom u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, dy ditë më parë rreth orës 10:35 me shenja thike në trup.
Nga hetimet rezultoi se rreth orës 01:00 të 2 gushtit, poshtë urës së Dajlanit, viktima është konfliktuar me Aldo Brahimin 22-vjeç dhe Ylli Grabovarin 45-vjeç për motive të dobëta. Më pas dy personat e kanë goditur me thikë dhe si pasojë ajo ka humbur jetën në vendin ku u gjet trupi.
Dyshohet se viktima kishte konsumuar kokainë, së bashku me tri vajzat e identifikuara si B. S. 28 vjeçe, M. M. 26-vjeçe dhe e mitura 15 vjeç. Sipas burimeve policore, viktima është abuzuar seksualisht dhe më pas është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.
Një grup aktivistesh të shoqërisë civile kryesisht nga Tirana u mblodhën në një aksion simbolik kundër femicidit, një ditë më parë, si përkujtimore për të gjitha gratë e vajzat e vrara.
Top Channel